Heqja e titullit “Qytetar Nderi” për Veton Surroin/ Rama: Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot heqjen e titullit “Qytetar Nderi” për Veton Surroin nga Këshilli i Qarkut të Kukësit, një lajthitje kolektive, ndërsa tha se parlamenti duhet të ndërhyjë njëherë e mirë për çështjen e titujve dhe medaljeve.

Kreu i qeverisë u shpreh se “vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë!”.

“Ndërkohë, u shpreh ai, parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”.

“Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, shprehet  Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.