Gjata: Fondet për punimet e shkollës “Ramazan Jongozi” në Thumanë u vodhën dy herë brenda një viti

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata deklaroi sot se fondet për punimet në shkollën “Ramazan Jongozi” në Thumanë u vodhën dy herë brenda një viti.

“Për “Hajdutët e Fatkeqësisë” të udhëhequr nga Edi Rama, siguria e fëmijëve në shkolla nuk ka as më të voglën rëndësi. Shembull tipik i kësaj sjellje kriminale është shkolla “Ramazan Jangozi” në Thumanë”, tha Gjata.

“Ne kemi qenë edhe më herët në këtë shkollë për të denoncuar neglizhencën, vjedhjen e fondeve dhe sjelljen kriminale të “Hajdutëve të Fatkeqësisë”, që i gjen kudo, si në qeveri, si në pushtetin lokal. Në fakt, ajo që ka ndodhur në këtë shkollë është përtej skandalit! Pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxorri në pah vjedhjen me shkollën. Tregoi se ne drejtohemi nga hiena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve”, u shpreh Gjata.

“Shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që nga vjedhja e fondeve dhe abuzimit skandaloz kriminal të mos ngelej gjurmë, duke zhdukur vjedhjen. Kështu, 587 milion lekë avulluan vetëm 3-muaj pas rikonstruksionit”, tha Gjata.

““Hajdutët e Fatkeqësisë” i kanë zvarritur procedurat e lidhjes së kontratës me të paktën 3 muaj, derisa kanë rënë dakord se si do ta ndajnë prenë e tyre në oborrin e një shkolle në tentativë, ku sot duhet të mësonin nxënësit”, u shpreh ai.

“Shkolla e Thumanës duhet të kishte përfunduar sot që flasim, por korrupsioni i “Hajdutëve të Fatkeqësisë” e ka penguar atë. Deri tani, është realizuar vetëm 30% i punimeve totale, duke dëshmuar se puna e vërtetë e kësaj qeverie është grabitja e qytetarëve edhe në kohën më të vështirë për ta. Nxënësit nuk janë prioritet i kësaj qeverie, tepsia po”, tha Gjata.

Gjata theksoi se, “shumë shpejt, perdja do të bjerë dhe “Hajdutët e Fatkeqësisë” do të përgjigjen përpara ligjit”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.