“E paimagjinueshme vetëm pak vite më parë”/ Kabinete kimioterapie në 7 spitale rajonale, shërbim i garantuar afër vendbanimit

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ “Lëngimi i qytetarëve dhe familjarëve të tyre nga i gjithë vendi në dyert e spitalit onkologjik për një shërbim bazë, është dëshmi e një kohe që nuk do të vijë kurrë më për shëndetësinë”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndërsa ndau pamje nga Spitali Rajonal i Fierit, ku tashmë ofrohet edhe shërbimi i kimioterapisë. 
“E paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, sot jo vetëm kemi siguruar trajtimin për sëmundjet tumorale, edhe për terapi si herceptina, për çdo grua që ka nevojë, por tashmë shërbimi është i garantuar afër vendbanimit, në kabinetet e kimioterapisë në 7 spitale rajonale”, tha ajo.

Manastriliu shprehu krenarinë për punën e palodhur të dr. Elona Toles dhe të gjithë stafit të spitalit rajonal të Fierit, ku po funksionon më së miri shërbimi në kabinetin e ri të kimioterapisë, megjithë vështirësitë përballë të cilave e ka vënë pandemia sistemin shëndetësor.
Në njësinë e kimioterapisë në spitalin rajonal të Fierit po trajtohen 7 pacientë, ndërsa në fund të muajit nëntorit pritet të fillojnë terapinë edhe 2 të tjera duke e çuar në 9 numrin e pacientëve.
Pacientët me marrjen e këtij shërbimi pranë vendbanimit shmangin jo vetëm rrugën për në Spitalin Onkologjik në Tiranë, por edhe rreziqet në këtë periudhë pandemie.
Një prej pacienteve që kryen terapinë në këtë spital shprehet se “jam shumë e kënaqur jo për të folur kot, por e them me sinqeritet, ka doktorë dhe infermierë shumë të mirë, të cilët të presin dhe të japin forcë. Jeta jonë është mjekësia”.
“Si në Tiranë kur jam operuar edhe këtu në Fier, them mirë që ka mjekësi dhe doktorë të mirë me zemër të madhe”.
Një tjetër paciente thotë se ndihet e kënaqur nga ndihma e dhënë nga mjekët e infermierët e këtij spitali.
Mjekja Elona Tole, në spitalin e Fierit në njësinë e kimioterapisë tha se “kemi 7 pacientë që po marrin target terapinë, një shërbim specifik, i cili nuk është vetëm pjesë e Onkologjikut, por edhe pjesë e spitalit Rajonal të Fierit. Jemi shumë krenare që u vijmë në ndihmë pacientëve në këtë formë trajtimi që është 3 javore dhe pacientët nuk duhet të marrin rrugën në Tiranë tek spitali Onkologjik, por më së miri e marrin këtë shërbim në Fier”.

“Kemi 7 pacientë, dy pacientë kanë përfunduar dhe dy të tjerë që janë planifikuar për të filluar në fund të muajit nëntor”, – tha mjekja Tole.

Në njësinë e kimioterapisë në Fier aktualisht trajtohet kanceri i gjirit. Reparti i kimioterapisë në spitalin e Fierit është hapur në maj të vitit 2018. Përdorimi i herceptinës (forme subcutane) është mënyra më efikase, ndërsa është një ndër medikamentet e listës së barnave të rimbursueshme./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.