COVID-19/ Meta, letër Manastirliut: Sa më shpejt në përdorim testet e shpejta dhe spitalet rajonale

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta, pas takimit të zhvilluar disa ditë më parë me një grup mjekësh lidhur me situatën e pandemisë në vend, ka dërguar disa rekomandime në drejtim të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Sipas Metës, në letrën zyrtare gjenden rekomandime bazuar në diskutimet e zhvilluara me mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetit publik, me qëllim të vetëm mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19. Meta u shpreh se letra me propozime konkrete, i është dërguar ministres së Shëndetësisë dhe për dijeni Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
Ndër rekomandimet që Meta kërkon në letër është edhe futja sa më shpejt në përdorim e testeve analitikë të shpejtë, për shkak të shkurtimit të kohës dhe të uljes së kostove.
“Ndërkohë, përdorimi i metodës së references PCR dhe testeve të shpejta të ecin paralelisht, për zbulimin sa më të shpejtë dhe të saktë të infektuarve dhe gjurmimin në kohë të tyre. Duhet të futen menjëherë në funksion, spitalet rajonale, duke bërë edhe një decentralizim dhe rigrupim të tyre, në mënyrë që disa prej tyre të kthehen në spitale Covid dhe të tjerët t’ju shërbejnë pacientëve me sëmundje të tjera dhe të sëmurët të mos transportohen të gjithë në Tiranë”, thuhet në letrën e Presidentit.
Ndër të tjera letra thekson se, “duhet të sigurohet aparatura ECMO për shpëtimin e jetës, për rastet e rënda të këtij infeksioni në spitalet tona. Duhet të bëhet njësimi favorizues i çmimeve të testeve Covid, për t’i hequr një barrë të rëndë ekonomike familjeve shqiptare si dhe duhet të shtohet numri i testimeve”.
“Gjithashtu të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe potencialet njerëzore që kemi, përfshirë edhe ata mjekë e infermierë që nuk janë pjesë e shërbimit aktiv dhe janë në pension. Të shpejtohen proçedurat e liçencimit të mjekëve, për të rritur numrin e tyre në shërbimin mjekësor. Duhet një qasje multisektoriale në përballjen me pandeminë. Protokollet duhet të përditësohen dhe është shumë e rëndësishme të përfshihen edhe reanimatorët. Nevojiten mekanizma koordinimi nëpër rrethe, që të mbledhin të dhënat, të vlerësojnë nevojat në rang kombëtar, veçanërisht për barna apo për oksigjen, në mënyrë që të mos kemi mungesa për asnjë moment”, thekson Meta.
Sipas tij, “duhen kontrolluar barnat që qarkullojnë, sepse kemi disa prej tyre të paliçencuara dhe me një kosto disafish më të lartë nga çmimi fillestar. Duhet të kemi siguri në barnat që sillen dhe të ndalohet spekulimi me çmimet. Duhet të ngrihen ekipe epidemiologjike, në nivel rajonal, për të ndjekur situatën epidemiologjike, sepse jo të njëjtat masa që duhen marrë në Tiranë, vlejnë edhe për qytete të tjera më të vogla dhe me më pak raste infeksioni”.
“Vendimet, që merren nga qeveria nepërmjet Komitetit Teknik të Ekspertëve, kanë të
nevojshëm një argumentim të detajuar dhe bindës për opinionin publik, në mënyrë që të
sigurohet mbështetja masive e qytetarëve për to, në funksion të suksesit të këtyre masave, dhe jo thjesht imponimi përmes masave dhe dënimeve administrative”, përfundon letrën e tij Presidenti Meta.
Presidenti Meta thirri një panel me mjekë dhe ekspertë të fushës së shëndetit publik, ku qeveria u përfaqësua nga zv.ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.