Buxheti i BE për çështjet e sundimit të ligjit/ Qeveria polake: Dispozitat e propozuara, të paqarta dhe të gjera

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ -Ambasada e Polonisë në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë që ka të bëjë me qëndrimin e Polonisë në çështjen e lidhjes së buxhetit të BE-së me çështjet e sundimit të ligjit.

Ajo thekson se qeveria polake shprehet e hapur për dialog, i përmbahet megjithatë qëndrimit që rregullatorët e lidhjes së fondeve europiane me të ashtuquajturin mekanizëm të sundimit të ligjit duhet të jenë në përputhje me përmbajtjen e traktateve të BE-së si dhe me vendimet e Këshillit Europian, përfshirë edhe ato të korrikut 2020.

Sipas qeverisë polake versioni i propozuar i udhëzuesit bie ndesh me to.

“Dispozitat e propozuara janë aq të paqarta dhe të gjera sa në fakt lejojnë një interpretim shumë të largët. Polonia ka arsye të ketë besim të kufizuar në paanësinë e institucioneve të BE-së, prandaj konsiderojmë se dispozitat duhet të jenë shumë precize në mënyrë që të mos lejojnë keqpërdorim për arsye politike.

Vitet e fundit Komisioni Europian ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Polonia po shkel sundimin e ligjit që është shumë i ngjashëm ose identik me dispozitat në fuqi në shtetet e tjera anëtare.

Rregullatori i propozuar përmban kriterin e gjerë të “rrezikut mjaftueshmërisht të drejtpërdrejtë”, i cili është i hapur për interpretim të lirë dhe mund të nënkuptojë absolutisht gjithçka. Kjo nuk është në përputhje me parimin e Traktatit të sundimit të ligjit, i cili përfshin gjithashtu  parimin e sigurisë juridike.

Ne vlerësojmë pozitivisht dispozitat e propozuara për realizimin e buxhetit dhe parandalimin efektiv të abuzimit dhe parregullsive financiare- thuhet më tej në deklaratë. Megjithatë nuk pajtohemi me krijimin e mekanizmave të kushtëzuar nga dëshirat politike të një vendi tjetër anëtar ose institucioni të BE-së – Komisionit Evropian apo Parlamentit Europian. Agjencia europiane kundër abuzimit me fondet, OLAF, ka treguar për vite që Polonia i shpenzon besueshëm fondet e BE-së. Sipas raporteve të OLAF, abuzimi është shumë i kufizuar dhe ndiqet siç duhet – prandaj nuk ka asnjë rrezik në Poloni për keqmenaxhim të fondeve të BE-së.

Ligji për mbrojtjen e interesave buxhetorë të Bashkimit Europian është dytësor në raport me Traktatin për Bashkimin Europian. Ai nuk mund të zëvendësojë ose modifikojë parimet e përcaktuara në traktatet e BE-së. Kjo vlen veçanërisht për Nenin 7 të Traktatit për Bashkimin Evropian, i cili përmban një mekanizëm që minimizon rrezikun e veprimeve diskriminuese ndaj shteteve anëtare nga ana e institucioneve të BE-së apo shteteve të tjera anëtare.

Traktati i BE-së e thotë qartë që vërtetimi i konstatimit të shkeljes së sundimit të ligjit kërkon unanimitet. Ndërkohë, rregullatori i propozuar përmban vetëm një shumicë të cilësuar të thjeshtë – duke lejuar kësisoj një vendim të njëanshëm që nuk merr në konsideratë pikëpamjet e të gjitha vendeve. Ky anashkalim i të drejtës themelore të Bashkimit Evropian përbën  në vetvete një shkelje të sundimit të ligjit.

“Polonia hedh poshtë mekanizmin e kushtëzimit në buxhetin e Bashkimit Europian. Ne nuk pranojmë ligje diskrecionale që bazohen në kritere arbitrare dhe politike. Miratimi i tyre mund të çojë në zbatimin e standardeve të dyfishta dhe trajtimin e ndryshëm të vendeve të BE-së. Jemi për barazinë e të gjitha shteteve para ligjit dhe respektimit të traktateve të BE-së. Marrëveshja duhet të sigurojë garanci se të drejtat tona të parashikuara në Traktate do të mbrohen plotësisht. Ne jemi për një Bashkim të tillë Europian ku  çdo shtet është subjekt dhe trajtohet si partner”, theksohet në deklaratë.

2020 është një vit i vështirë. Dalja prej tij me mburojë do të jetë e mundur vetëm nëse bashkërisht ndjekim një politikë që forcon ekonominë evropiane. Dhe që kjo të realizohet, Bashkimi Europian duhet të mbështetet në themelet e  ligjit dhe sigurisë ligjore. Unioni është një bashkim i shteteve anëtare të pavarura, sovrane dhe të barabarta.  Vetoja nuk është një armë bërthamore – falë bllokimit të një mekanizmi të padrejtë tani, do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje e cila, në përputhje me traktatet, do të garantojë të drejtat e të gjitha vendeve anëtare përfundon deklarata e qeverisë polake shpërndarë nga Ambasada e saj në Tiranë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.