ANKARA – Turqia kundërshton vendimin rekomandues të PE-së për Qipron Veriore

ANKARA, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy deklaroi se Turqia kundërshton plotësisht vendimin rekomandues jodetyrues që Asambleja e Përgjithshme e Parlamentit Europian miratoi për Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Aksoy në përgjigjen me shkrim lidhur me një vendim të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së për çështjen e rajonit Marash dhe Qipron theksoi se kundërshtojnë plotësisht vendimin rekomandues jodetyrues që Asambleja e Përgjithshme e PE-së ka miratuar për vendin tonë dhe Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Ai tha se mbështesin plotësisht deklaratën e dhënë lidhur me këtë çështje nga Presidenca e TRNC-së.

“Ky vendim për të cilin nuk ka asnjë dyshim se është diktuar nga Qiproja greke, ka treguar edhe njëherë se sa e shkëputur dhe paragjykuese është PE-ja lidhur me çështjen e Qipros. Nëse vazhdon kjo qasje dhe nëse ruhet ky mentalitet është e pamundur që organet e Bashkimit Evropian të ofrojnë kontribut konstruktiv në zgjidhjen e çështjes së Qipros”, deklaroi Aksoy.

Sipas tij, “mbajtja peng e marrëdhënieve Turqi-BE me problemin e Qipros nuk u shërben interesave të përgjithshme të BE-së, as zgjidhjes së problemit të Qipros dhe as përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore”.

Më tej Aksoy tha se e ftojnë PE-në dhe BE-në që të përballen me të vërtetat në ishullin e Qipros, të marrin në konsideratë praninë e popullatës turke qipriote dhe që BE-ja të përmbushë premtimet e saj që ka dhënë për qipriotët turq në prill 2004.

“Turqia pa u përkulur përpara asnjë kërcënimi dhe shantazhi do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri edhe të drejtat e saj edhe të turqve qipriotë”, nënvizoi Aksoy duke shtuar se në të njëjtën kohë Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për dialog dhe bisedime.

PE-ja kërkoi kthimin prapa për hapjen e një pjese të rajonit të Marashit të mbyllur në Qipro, rifillimin e bisedimeve që synojnë zgjidhjen e problemit të Qipros në bazë të dy komuniteteve, dy federatave rajonale si dhe zbatimin e sanksioneve nga BE-ja ndaj Turqisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.