Andrea Bocelli sërish në krye të klasifikimeve amerikane për albumet “Classical”

ROMË, 27 nëntor /ATSH-ANSA/ – Andrea Bocelli pushton sërish Amerikën dhe për të dhjetën herë radhazi një nga albumet e tij renditet në 10 disqet më të shitura në SHBA, një rezultat i pabesueshëm për një artist italian, që gjithashtu u kremtua me një artikull të gjatë, i botuar në “Billboard America”.

Bocelli me “Believe” (Sugar) shkon direkt në vendin e parë për albumet “Classical”, në vendin e parë të albumeve “Classic Crossover” dhe në vendin e pestë të klasifikimit tradicional të shitjeve të albumeve të “Billboard”-it, me 20 000 kopje të shitura në SHBA në fund të javës së 19 nëntorit.

Tenori italian u ngjit për herë të parë në 10-shen më të mirë në SHBA në vitin 1999 me këngën “Sogno” (vendi i katërt) dhe arriti në vendin e parë me këngën “Sì” në vitin 2018, duke hyrë në historinë e muzikës italiane.

“Believe”, gjithashtu, i jep Bocelli-t vendin e parë për të 20-tën herë në klasifikimin e albumeve klasike dhe vendin e parë për të 14-tën herë në klasifikimin e albumeve “Classic Crossover”, duke vendosur kështu rekordin vetjak për numrin më të madh të albumeve në vendin e parë, në të dy klasifikimet./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.