Ambasadorja Kim: Kushtetuesja të jetë funksionale brenda 2020-ës, palët të lëvizin me shpejtësi

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka apeluar sërish sot për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese para datës 31 dhjetor.

Kim reagoi lidhur me mbledhjen e një dite më parë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që vendosi ndalimin e kandidimit të kandidatëve për vendet vakante në Kushtetuese të Aldona Sylaj, Ardita Buna dhe Shaqir Hasanaj.

Ambasadorja tha se ky takim tregoi bashkëpunimin e KED, presidencës dhe parlamentit për të vepruar me urgjencë në përputhje me opinionin e Venecias.

“Takimi i djeshëm i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tregon bashkëpunimin e KED-se, Presidencës dhe Parlamentit për të vepruar me urgjencë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Ai sjell Shqipërinë një hap më afër Gjykatës Kushtetuese funksionale deri më 12/31. Palët përkatëse duhet të vazhdojnë të lëvizin me shpejtësi”, deklaron ambasadorja Kim.

Këshilli e Emërimeve në Drejtësi vendosi dje ndalimin nga kandidimi të 3 gjyqtarëve për 2 vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe la në fuqi kandidimin e 3 gjyqtarëve Sonila Bejtja, Altin Binaj dhe Aleksandër Toma që ishin miratuar më herët. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.