4 familje hynë në shtëpitë e rindërtuara në Shijak/ 468 familje do ta festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak, Durrës, tek disa prej familjeve që hynë në shtëpitë e reja, pas dëmtimit nga tërmeti.

“Në shtëpitë e reja të familjeve të Marjana Domit, Hava Domit, Shpresa Zezës dhe Hamit Zezës, që si edhe plot 468 familje të kësaj zone, do ta festojnë Vitin e Ri brenda tyre dhe pas një mundimi e durimi të madh do të jetojnë në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin një vit më parë”, – u shpreh Kryeministri.

Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana tha se “nga 567 banesa individuale që kanë nisur të ndërtohen në bashkinë e Shijakut, 151 banesa janë vetëm në njësinë administrative Maminas dhe sot kemi përfunduar banesën individuale të Marjana Domit”.

“Procesi i ndërtimit të banesave individuale po kryehet mbi bazën e pikëzimit dhe vetëm sot janë përfunduar 20 banesa individuale në bashkinë e Shijakut. Vetëm 80 familje nuk kanë plotësuar kushtet urbanistike dhe kanë zgjedhur të marrin grantin sipas VKM që është miratuar. Brenda muajit dhjetor 2020 e gjithë bashkia Shijak do të ketë përfunduar ndërtimin e banesave sociale”, – tha kryetari i bashkisë Shijak.

Kryeministri Rama u dorëzoi çelësin familjarëve që hynë në shtëpitë e reja dhe pa nga afër punimet e kryera. Rama bashkëbisedoi me kryefamiljarët, ndërsa u shpreh se “shtëpitë e reja janë ndërtuar të forta dhe të bukura”. “T’i gëzoni bashkë me familjarët tuaj!”, i uroi Kryeministri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.