3.3 milionë dollarë investime në rrjetin e ujit të pijshëm në Elbasan/ Furnizim 24 orë me ujë në 2021

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në bashkinë e Elbasanit po vijohet me investimet në përmirësimin e infrastrukturës së ujit të pijshëm.

Aktualisht janë rreth 3.3 milionë dollarë investime në rrjetin shpërndarës dhe Bashkia e Elbasanit është duke punuar njëkohësisht në 6 vepra për të bërë të mundur furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm dhe për të përmirësuar cilësinë e tij.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, njëkohësisht deputet i zonës, Taulant Balla, tha se “aktualisht po punohet për ndërtimin e linjës së dërgimit Krastë e Vogël-Varrezat dhe Krastë e Vogël-Unaza e qytetit”.

“Ky investim u shërben 8 mijë banorëve të zonës jugore të Elbasanit. Nëse hedhim sytë pas dhe krahasojmë investimet në 3 vitet e fundit, ato janë shumë herë më të mëdha sesa në gjithë pjesën tjetër pas viteve ’90. Elbasani është gjithmonë në vëmendjen e qeverisë Rama”, tha Balla.

Ai tha se si deputet i Elbasanit, një ndër problematikat që gjithmonë banorët kanë ngritur ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm. “Dua të them me shumë krenari që gjatë 3 viteve të fundit, qeveria e kryeministrit Rama ka investuar në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm në Elbasan më shumë se sa të gjitha vitet e tjera nga viti 1991, të marra së bashku”, tha ai.

Balla shtoi se “investimet po vazhdojnë dhe ky është një projekt i madh prej 3.3 miliardë lekësh i cili përmbledh në vetvete jo vetëm rikonstruksion të plotë të rrjetit të shpërndarjes dhe furnizim me ujë të pijshëm të familjeve të kësaj zone, por edhe krijimin e rezervuarëve të shpërndarjes së ujit i cili do të garantoj furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha këto zona”.

“Ne i qëndrojmë angazhimit të marrë përballë banorëve. Ne do ta përfundojmë procesin e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë për Elbasanin brenda vitit të ardhshëm. Qeveri në këtë vend ka prej vitit 2013. Kushdo që ka qeverisur më parë nuk e ka kuptuar që nuk mund të qeverisësh pa zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. Për herë të parë në Elbasan për çështje të furnizimit me ujë po investohet gjatë 4 viteve të fundit”, tha Balla.

Ndërsa kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja tha se “ndërhyrjet kaotike kanë sjellë shumë humbje në qytetin e Elbasanit”. “Sot ne kemi gati 75% të ujit që nxjerrin këto depo e kemi humbje në rrjet. Domosdoshmëri është rehabilitimi i komplet rrjetit kryesor të furnizimit të qytetit. Sot me linjën e re që shtrohet përfitojnë rreth 9 mijë banorë, formalizohet e gjithë zona me sahate dhe ujë të pijshëm e me cilësi më të mirë”, tha ai. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.