Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 7 të dënuarve për vepra penale

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit. Gjatë 24-orëve të fundit iu dërgua kërkesa për deklarimin e pasurisë shtatë individëve të dënuar për vepra të rënda penale.

Policia e Shtetit njoftoi të enjten se, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetë-deklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. S., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, i mbetur në tentativë; S. P., banues në Fier, i dënuar në Itali për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; A.(F.) D., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim; E. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”; A. Ll., banues në Kurbin, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; S. D.(P.), banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; E. M., banues në Përmet, dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.