Vaksina AstraZeneca kërkon studim të mëtejshëm

LONDËR, 26 nëntor /ATSH-AFP/ – Vaksina antiCOVID-19 e zhvilluar nga laboratori britanik “AstraZeneca” dhe Universiteti i Oksfordit kërkon studim shtesë, njoftoi sot drejtori ekzekutiv i grupit, Pascal Soriot, pas kritikave të rezultateve të njoftuara.

Sipas rezultateve të ndërmjetme nga provat klinike në shkallë të gjerë në BM dhe Brazil, laboratori britanik njoftoi të hënën se vaksina e tij ishte mesatarisht 70% efikase.

“Tani që kemi gjetur atë që duket se është efikasitet më i mirë, ne duhet ta vlerësojmë atë, prandaj duhet të bëjmë studime të mëtejshme”, tha ai në një intervistë me “Bloomberg”.

Rezultatet e këtij studimi të ri ndërkombëtar mund të jenë më të shpejta për t’u marrë, sepse ne e dimë që efikasiteti është i lartë, kështu që kemi nevojë për një numër më të vogël të pacientëve”, shtoi Soriot.

Sipas tij, këto procedura nuk pritet ta vonojnë miratimin e rregullatorëve në Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, por leja e autoriteteve amerikane mund të zgjasë më shumë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.