Trajtimi financiar dhe logjistik/ Gjonaj, mesazh informues për secilin punonjës të burgjeve

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka drejtuar një letër çdo punonjësi të Policisë së Burgjeve, ku ka renditur në mënyrë të detajuar informacionin që përmban VKM e miratuar dje për Trajtimin Financiar dhe Logjistik të forcave policore të burgjeve.

Ajo shprehet se i ka kërkuar strukturave drejtuese të çdo IEVP-je të njohin efektivët e Policisë së Burgjeve me mesazhin e plotë.

“Nëpërmjet një letre drejtuar çdo punonjësi të Policisë së Burgjeve, kam dhënë në mënyrë të detajuar informacionin që përmban VKM e miratuar dje për Trajtimin Financiar dhe Logjistik të forcave policore të burgjeve. Për këtë arsye i kam kërkuar strukturave drejtuese të çdo IEVP-je të njohin efektivët e Policisë së Burgjeve me mesazhin e plotë. Ky është një informacion me shumë rëndësi, që duhet të informohet çdo punonjës i forcave policore, pasi është një arritje historike e kërkuar nga vetë ata me vite të tëra dhe e realizuar nga ne”, nënvizon Gjonaj.

“Pavarësisht se nuk po jetojmë kohë të lehta, kjo kategori ka qenë dhe do të jetë në qendër të prioriteteve tona, për shkak të rendësisë që ka të pasurit e një force policore burgjesh të qëndrueshme, të pakorruptuar dhe të motivuar në punën e saj! Shpresoj që këto hapa që kemi ndërmarrë si pjesë e objektivave tona, të motivojnë stafin e sistemit të burgjeve për të punuar me më shumë përkushtim dhe integritet”, thekson ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.