Tirana përkujton ngritjen e flamurit, Veliaj: Përulje dhe nderim para veprës së paçmueshme të patriotëve

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ 108 vjet më parë patriotët e Tiranës hoqën flamurin e Perandorisë Osmane për ta zëvëndësuar atë me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, simbol i shtetit shqiptar.

Ngritja e flamurit nga personalitete të njohur si Refik e Murat Toptani u bë vetëm dy ditë para se Ismail Bej Qemali të ngrinte flamurin shqiptar në Vlorë dhe të shpallte pavarësinë e vendit.

Për të nderuar këtë vepër, Bashkia e Tiranës e ka përkujtuar sot përmes një ceremonie të veçantë para ndërtesës ku u bë ngritja e flamurit.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj thekson se sakrifica e patriotëve të Tiranës mbetet e pavdekshme dhe e patjetërsueshme.

“Përulje dhe nderim para veprës së paçmueshme të patriotëve të Tiranës, që më 26 Nëntor 1912 ngritën flamurin në qytetin që, pak vite më vonë, do të kthehej në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Sakrifica juaj mbetet e pavdekshme dhe e patjetërsueshme! Gjithmonë mes nesh”, shprehet Veliaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.