Siguria ushqimore/ AKU kryen 534 inspektime dhe monitorime

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon në terren kontrollin dhe monitorimin e bizneseve për zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas AKU-së, gjatë ditës së sotme janë kryer 534 inspektime dhe monitorime.

“Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 13 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, bën të ditur AKU.

“Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 36 mostra në monitorim të produktit qumësht. Gjithashtu me kërkesë të vetë  subjektit janë asgjësuar një sasi prej 3.2 tonë produkte ushqimore”, thekson AKU.

AKU si pjesë e taskforcës vijon me monitorimet në të gjitha kategoritë e bizneseve për zbatim të protokolleve.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime dhe monitorime dhe ka këshilluar 486 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë. Gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave”, përfundon AKU. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.