Shkreli: Mbi 1 mijë familje do ta gëzojnë Vitin e Ri në shtëpitë e rindërtuara

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ “Mbi 1 mijë familje do ta gëzojnë Vitin e Ri në shtëpitë e tyre individuale”, deklaroi sot zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.

Në një intervistë televizive, duke folur për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar, Shkreli tha se, flitet kryesisht për shtëpi që po ndiqen nga FSZH, të cilat janë ndarë në 6 paketa dhe në 5 prej tyre puna ka filluar. Nga këto 5 paketa, sipas tij, mbi 1 mijë shtëpi përfundojnë brenda këtij viti.

“Vetëm në Shijak”, theksoi Shkreli “do të përfundojnë 400 banesa në përfundim të këtij viti domethënë brenda këtij muaji, janë në përfundim. 270 banesa individuale në bashkinë e Shijakut përfundojnë në muajin nëntor që do të thotë pas 4-5 ditëve, jepen çelësat. Dhe 400 janë deri në fund të vitit nga FSHZH-ja në Shijak”.

Shkreli u shpreh se, “ndërtimi i një banese individuale nga momenti që nis shkon nga 35 ditë deri në 2 muaj”.

Shkreli tregoi edhe të gjitha fazat që janë ndjekur nga rënia e tërmetit deri në procesin e rindërtimit.

“Tërmeti ka rënë sot një vit dhe faza e parë ishte përgjigja me grupet e shpëtimit. Pra të evidentoheshin objektet e rrëzuara dhe objektet, të cilat kanë brenda njerëz që mund të ishin të vdekur fatkeqësisht, ose që  ishin të gjallë dhe që rrezikonin nga minuti në minutë. Ky proces për fat të mirë me angazhimin shumë të madh të forcave jo vetëm tonat, por edhe nga vendet mike që na ndihmuan, zgjati relativisht pak dhe u mbyll brenda muajit nëntor. Pra ka qenë një kohë rekord”, u shpreh ai.

Në dhjetor, tha Shkreli, “filloi çështja e vlerësimit të dëmeve”.

“Qeveria shqiptare bëri një veprim shumë të mbarë që doli me sukses. Vlerësimin e dëmeve nuk u përpoqëm ta bëjmë “shqiptarçe”, që do të thotë të fillojmë vetëm me institucionet tona. Kërkuam ekspertizë të specializuar nga organet të cilat merren me menaxhimin e krizave në nivel botëror siç është UNDP, BB etj, që ekipet tona t’i bashkëngjiteshin atyre në mënyrë që akt-konstatimet si fazë e parë dhe më pas akt-ekspertizat si fazë e dytë, të ishin të certifikuara dhe të njohura nga ato. Ky proces ka mbaruar në shkurt. Në shkurt dosja e vlerësimit dhe ekspertimit në nivel nacional u pranua në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve”, theksoi Shkreli.

Ndërkohë, shtoi ai, “nuk është ndenjur të pritet kur merren paratë, por ka filluar procesi i evidentimit mbi bazën e shifrave sesa janë të dëmtuar, ka filluar procesi i evidentimit të trojeve ku do të ndërtohen kuartieret e reja”.

I pyetur se kur ka nisur procesi i Rindërtimit Shkreli tha se, “rindërtim unë quaj momentin kur projektuesi merr një hartë dhe fillon të projektojë. Kjo gjë në nivelin e planifikimit ka filluar më fillimin e vitit, kurse në nivelin e buxhetimit ka filluar pas muajit shkurt”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.