Sejko: Ringritje ekonomike vitin e ardhshëm, sistemi bankar i qëndrueshëm

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, u shpreh se ekonomia do të ringrihet vitin e ardhshëm dhe sistemi bankar është i qëndrueshëm.

Gjatë një interviste televizive, Sejko tha se “nëse do të kemi një ndërprerje të pandemisë do të kemi edhe një ringritje më të shpejtë ekonomike. Pas çdo krize, viti i parë është gjithnjë me një ringritje më të shpejtë të ekonomisë dhe më pas rritja ekonomike do të vazhdojë me rritje konstante”.

“Pavarësisht pandemisë, ekonomia shqiptare është mbajtur. Kemi disa elemente pozitive si p.sh niveli i inflacionit ka qenë i qendrueshëm, pra nuk kemi pasur rritje të çmimeve, kursi i këmbimit ka qenë i qëndrueshëm, tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe sektori bankar vijon të jetë i shëndetshëm”, bëri të ditur Guvernatori.

Sejko argumentoi likuiditetin e tregjeve financiare në sajë të masave makroprudenciale që janë marrë mbi sistemin bankar por, siç tha ai, nga ana tjetër edhe buxheti i shtetit ka aktualisht një tepricë prej 35 miliardë lekësh, të cilat janë burimet e mjaftueshme për të financuar buxhetin e shtetit.

“Janë siguruar për këtë vit qoftë nga eurobondi apo nga huamarrja e brendshme ose në tregjet ndërkombëtare. Por sigurisht edhe në buxhetin për vitin 2021 që është miratuar së fundi në Kuvend, janë reflektuar burimet e financimit për vitin që vjen. BSH-ja, ka ndjekur një politkë monetare lehtësuese për normat e interesit, për të nxitur kreditimin e konsumit dhe investimet. Ndërsa kemi ruajtur mbiçmimin e lekut, që tregon stabilitet të treguesve ekonomikë”, – deklaroi ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.