Rindërtimi/ Shkolla nëntëvjeçare “Shtodhër” në Kavajë, gati sipas standardeve europiane

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Shkolla nëntëvjeçare “Shtodhër” në Kavajë është gati e rindërtuar sipas standardeve europiane.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga shkolla e përfunduar e cila pret tashmë nxënësit.

“Shkolla nëntëvjeçare “Shtodhër” në Kavajë nga 3D në realitet gati për 310 nxënës, më e bukur, më e fortë e me kushte optimale sipas standardeve europiane, njësoj si shkollat e Bashkimit Europian. Marshallah”, u shpreh Rama.

Shkolla e re është projektuar me 11 klasa të përgjithshme për mësim, 4 laboratorë dhe ambientet e gjelbëruara që i mungonin shkollës së vjetër.

Shkolla është më e madhe jo vetëm në kapacitet por dhe në hapësirë. Klasat kanë një standard prej 24 nxënësish në çdo klasë duke eliminuar kështu mësimet me turne dhe duke i dhënë gjithë hapësirën e nevojshme nxënësve dhe mësuesve.

Shkolla e Shtodhërit në Kavajë është një nga 12 shkollat e reja që do të rindërtohen në Kavajë, me cilësi e standarde 100% në përputhje me ato të Bashkimit Europian. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.