Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit/ PD: 1 vit pas tërmetit nuk ka asgjë të ndërtuar

TIRANË, 26 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar nxori në pah se shqiptarët drejtohen nga një qeveri e paaftë. 1 vit pas tërmetit, nuk ka asgjë të ndërtuar. Asgjë. Rezultati është zero”, tha sot në një deklaratë për mediet, ish-deputeti i PD-së, Dorian Teliti.

Sipas Telitit, në zonën ‘5 Maji’, është vendosur të ndërtohen 12 godina banimi dhe shërbimesh me vlerë 52 milionë euro.

“Këto pallate duhet të ishin sot drejt fundit dhe qytetarët duhet të ishin duke u bërë gati të hynin në shtëpitë e reja. Kjo nuk ka për të ndodhur edhe për të paktën 2 vjet të tjera, sipas kontratës së lidhur nga Bashkia e Tiranës. Në vend të shërbimit me cilësi dhe shpejtësi, Erion Veliaj ka zgjedhur të harxhojë kohën duke gjetur forma ekstraligjore për të shpenzuar dhjetëra-miliona euro nga fondet e rindërtimit. Shumëkush mund të çuditet, por për 52 milionë euro që do të harxhojë këtu Erion Veliaj dhe Edi Rama nga taksat e qytetarëve, nuk ka një tender të veçantë për projektimin e banesave në zonën ‘5 Maji’. Bashkia e Tiranës ka shpikur një mënyrë të re për t’i vjedhur ato. Praktikisht, kanë dhënë edhe tërmetin me PPP”, tha ai.

Po ashtu, Teliti shton se projekti i zbatimit të ndërtimit të 12 godinave të reja të banimit do të realizohet nga vetë ndërtuesi i këtyre godinave.

“Është njësoj si ta japësh me PPP. Ai që projekton, ai ndërton, ai zbaton. Fusha e abuzimit është lënë e stërmadhe në dorë të kompanisë ndërtuese, pa asnjë kontroll. Janë 52 milionë euro që do të hidhen në 12 godina të përqendruar në dorën e ndërtuesit. Kjo zgjedhje ekstraligjore ka vetëm një shpjegim: korrupsionin dhe vjedhjen me fondet e rindërtimit” tha ai.

Gjithashtu, Teliti shtoi se, “për qeverinë e Edi Ramës dhe bashkinë e Erion Veliajt, prioritet nuk janë qytetarët. 1 vit pas tërmetit nuk është hedhur asnjë lopatë me dhé. Ka vetëm propagandë dhe procedura që dyfishojmë kostot e rindërtimit, duke futur duart në xhepat e qytetarëve”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.