Rindërtimi në Shijak/ Vijojnë punimet për 567 banesa individuale, 400 familje hyjnë në shtëpitë e reja para Vitit të Ri


TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ 400 familje në bashkinë e Shijakut, banesat e të cilëve u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit do të festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e tyre të reja, ndërkohë që në këtë bashki po rindërtohen 567 banesa individuale.

Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana ishte sot në Maminas, Shijak, në shtëpinë e re të Hysni Zezës, e rindërtuar nga e para brenda 35 ditëve.

“Kjo është një nga banesat e dëmtuara të datës 26 nëntor. 35 ditë më përpara ne kemi bërë demolimin e objektit dhe sot jemi në fazën që familja e Hysniut po gëzon dhe po hyn në shtëpinë e re. Vetëm në njësinë administrative Maminas, këtu në fshatin Rubjek, kanë mbaruar 5 banesa individuale të cilëve ne u kemi dorëzuar çelësat”, tha ai.

Arbana tha se “procesi i rindërtimit në bashkinë e Shijakut po ecën përtej pritshmërive. “Në bashkinë e Shijakut po ndërtohen aktualisht 567 banesa individuale nga të cilat 480 prej tyre janë në fazën e përfundimit, pra kanë mbaruar mbi 70%”, tha ai.

Arbana informoi se “në bashkinë e Shijakut janë demoluar 30 pallate dhe është bërë evadimi i mbetjeve”. “Ka vazhduar infrastruktura e brendshme dhe shumë shpejt do të nisë dhe me hapjen e themeleve paralelisht me pallatet që do të ndërtohen nga e para. Në bashkinë e Shijakut jemi drejt përfundimit të 27 pallateve që kanë përfituar nga programi i granteve me rikonstruksionin total të tyre. Shumica prej tyre kanë mbaruar, qytetarët u janë kthyer normalitetit”, tha Arbana.

Ai informoi po ashtu se “kemi bërë shpërndarjen e granteve DS1, DS2, DS3 për 1800 familje që janë përfitues në bashkinë e Shijakut”.

“Banesat individuale të ngritura deri në 70%, brenda dhjetor 2020 të gjitha do të jenë të përfunduara. Ky është një lajm shumë i mirë për banorët. Të gjithë ata që janë dëmtuar dhe nuk janë në banesat e tyre do të marrin bonusin e qirasë”, tha Arbana.

Në 11 bashki në gjithë vendin po ndërtohen 4500 banesa individuale. Konkretisht, bashkia Tiranë ka 2 mijë banesa; bashkia Shijak 567 banesa individuale; bashkia Kavajë 110 banesa individuale; bashkia Krujë 206 banesa individuale; bashkia Durrës 785 banesa individuale; bashkia Kurbin 191 banesa individuale; bashkia Mirditë 82 banesa; bashkia Kamzë 210 banesa dhe bashkia Rrogozhinë 148 banesa./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.