“Rindërtimi i prekshëm për shumë qytetarë”/ Margariti: 2500 banesa individuale dhe 4800 banesa kolektive në proces

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në mbrëmje se “shifrat dhe rezultati flasin vetë dhe rindërtimi është i prekshëm për shumë qytetarë”.

E ftuar në një studio televizive, Margariti tha se “sot është e thjeshtë që opozita të bëjë moral dhe kritika nga poltroni e karrigia, por mund të jepte kontributin e saj në këtë proces”.

“Shifrat flasin vetë. Sot kemi mbi 2500 banesa individuale që po ngrihen nga FSHZH dhe 4800 banesa kolektive, 155 objekte arsimore të hartuara në 30 ditë që tashmë po dorëzohen brenda 26 nëntorit në më pak se 1 vit. Nuk flasim vetëm për strehimin, por për ndërtesa sipas standardeve më të larta europiane dhe jo vetëm antisizmike. Ato janë të gjitha shifra dhe projekte të prekshme. Vetëm në zonën e Durrësit mund të shohim të gjithë rezultatet e kësaj pune që është një reformë, jo vetëm një qasje për strehim”, tha ajo.

Margariti tha se “rindërtimi është një nga shumë hapat pozitivë që ka bërë kjo qeveri dhe rindërtimi i parë në vizionin e një fatkeqësie, që nga një sfidë dhe krizë u pa si mundësi për t’u rimëkëmbur dhe jo për të mbyllur një plagë, do të ishte njësoj edhe sikur zgjedhjet të mos ishin në 2021”.

Po ashtu ajo theksoi se “procesi i rindërtimi është një proces i gjatë dhe dinamik”.

E pyetur nëse rrezikohet rindërtimi nëse PS del në opozitë, Margariti tha “patjetër që rrezikohet”.

“Nëse nuk do të vazhdohet të jetë e njëjta skuadër nga kryeministri Rama deri tek çdo punëtor i thjeshtë, nëse kjo çështje merret nga persona që thjesht duan të ndërhyjnë në këtë mekanizëm, atëherë ky proces do të vonohej pa fund. Ne kemi shumë institucione arsimore, qendra shëndetësore, të cilat vetëm kalimin nga një skuadër në tjetrën unë e shoh si një proces të padomosdoshëm. Rindërtimi mund të bëhet vetëm nga një ekip me vizion largpamës. Jo më larg se sot, Rama ka firmosur një bashkëpunim për 2000 banesa në zonën e Spitallës. Kemi një fond për 2020, prej 34 miliardë lekësh, një pjesë e tyre janë nga buxheti i brendshëm dhe një pjesë nga donacionet”, tha ajo.

Margariti u shpreh se “për monumentet e kulturës, hapi i parë që ndërmorëm ka qenë hartimi i projekteve për emergjencën me buxhetin e shtetit dhe sjellja në kuadrin e vizionit 10-vjeçar”.

“Ne më pas nënshkruam me komunitetin europian për shumën prej 40 milionë eurosh. Këto mund të mos jenë lëvruar në terren, sepse janë procese që ndjekin njëra-tjetrën. Por të flasësh sot për të gjithë donacionet që janë përthithur ose do të vijnë më pas duhet të kesh parasysh se janë shifra që zhvillohen në dinamizëm”, u shpreh ministrja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.