Rindërtimi/ Ekonomi: Janë vlerësuar rreth 90% e banesave të dëmtuara, janë paguar rreth 22 mijë familje

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, theksoi sot se janë vlerësuar rreth 90% e banesave të dëmtuara nga tërmeti, duke shpjeguar sesi nisi procesi që ditët e para duke ndihmuar fillimisht njerëzit që kishin më shumë nevojë.

E ftuar në një studio televizive, Ekonomi tha se procesi është në vazhdim. Sipas saj, “në total janë 22 500 kontrata dhe janë paguar 21 994 familje”.

“U ndërtua koncepti i bonusit të qirasë. Teksa qeveria paguante qiratë, kishte familje që kishin pësuar dëme por nuk iknin, sepse kishin tokën aty dhe gjënë e gjallë”, tha Ekonomi.

Sot, sipas saj, “janë 1364 familje që jetojnë në çadra derisa të mbarojnë godinat individuale, një pjesë e tyre përfundojnë deri në fund të vitit”.

Për banesat me dëme DS3, Ekonomi tha se janë 1137 godina që do të riparohen me vlerë totale prej 2 miliardë lekësh.

Ajo theksoi se “procesi vazhdon dhe në logjikën ndërkombëtare të parat që rindërtohen janë godinat me karakter publik, shkolla, qendra shëndetësore, veprat e infrastrukturës”.

“Janë vendosur fonde që të ndërtohen shkolla si nga buxheti i shtetit edhe nga donatorët”, tha Ekonomi.

Ekonomi tha se do të ndërtohen 3470 banesa individuale dhe punimet janë ndarë në lote, ku një loti i duhen 5.5 muaj të përfundohet”. “Do të punësohen direkt 2600 punëtorë dhe indirekt 27 mijë punëtorë”, tha ajo./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.