Rama në Abu-Dabi: Marrëveshje ndërqeveritare për ndërtimin e 2000 apartamenteve në Durrës, investim për transformimin e Portit


TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Qeveria shqiptare do të firmosë sot në Abu-Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës, si edhe marrëveshjen ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Abu Dabi për firmosjen e marrëveshjeve ndërqeveritare.

“Rastësia e desh që sot në 1-vjetorin e tragjedisë së tërmetit, të jem në Abu-Dab, Emiratet e Bashkuara për të firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës. Ishte mirësia vëllazërore e një miku shumë të çmuar, Princit të Kurorës, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan që në ato ditë aq të zymta më hapi derën e shtëpisë së tij dhe ma dëgjoi lutjen për ndihmë, e cila bëri të mundur manifestimin e jashtëzakonshëm dhe të paharrueshëm të solidaritetit nga ana e Emirateve të Bashkuara në Konferencën e Brukselit”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ministri i Rindërtimit dhe Agjencia jonë për Zhvillimin e Territorit kanë punuar pa pushim, ngushtësisht, së bashku me skuadrën e inxhinierëve të vënë në dispozicion nga Princi si dhe me fondin e Abu-Dabit për të dakordësuar dhe realizuar marrëveshjen që sot ne firmosim, e cila hap rrugë më në fund kantierit në javët e ardhshme”.

“Qeveria shqiptare do të financojë infrastrukturën e lagjes së re Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe Muhamet El Alabar, ndërtuesi i disa prej ngrehinave më mbresëlënëse në Lindjen e Mesme por jo vetëm, si p.sh Khalifa, godina më lartë e Dubait, do të realizojë qoftë banesat e Spitallës, qoftë edhe banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga goditja e 26 nëntorit të shkuar”, – nënvizoi Rama.

Njëkohësisht, vijoi Rama, me Princin e Kurorës kemi dakordësuar edhe përfshirjen e Emirateve të Bashkuara në zhvillimin e Durrësit fillimisht dhe disa zonave të tjera në vazhdim, përmes investimeve direkte në projekte të mëdha në radhë të parë në turizëm, por jo vetëm.

“Sot do të firmosim edhe marrëveshjen mes dy qeverive, e cila do t’i hapë rrugën për negociata direkte qeverisë shqiptare me sipërmarrjen emiratase për investime të drejtpërdrejta në Shqipëri, duke nisur nga Durrësi”, – tha Rama.

“Lartësia e tij sheiku Muhamet rikthehet në Shqipëri për herë të dytë në një moment përsëri nevoje për popullin dhe vendin tonë. Herën e parë ai u ul me një avion ndihmash në pistën e Kukësit, që i ati i tij, sheiku Zayed, ndërtoi me shpejtësi për të mbështetur nga ana humanitare viktimat e pastrimit etnik nga Kosova. Ai rikthehet në këtë herë në Shqipëri pas 20 vjetësh jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar në Durrës, por edhe për të na u bashkuar dhe mbështetur në përpjekjet tona për Shqipërinë që duam, duke u bërë pjesë e tyre, përmes projekteve dhe investimeve afatgjata në vendin tonë. Duke rinisur nga Durrësi ku parashohim një investim të parë të madh për të transformimin e portit të mallrave në Durrës dhe një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha “mirënjohje për këtë mik për këtë vend dhe edhe më të keqen e kemi lënë pas më e mira është përpara nesh”./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.