Qendra e Kurbinit ndryshon pamje çdo ditë/ Punohet për 524 apartamente, 375 vendparkime, 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ -Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj publikoi sot pamje nga puna e madhe që po bëhet për rindërtimin e pallateve dhe shtëpive të dëmtuara në Kurbin prej tërmetit të 26 nëntorit.

“Ja si po merr formë e ndryshon çdo ditë pamje qendra e Kurbinit, falë punës së pandalur në një nga kantierët më të mëdhenj e të bukur të Rindërtimit që vazhdon në çdo qytet, në çdo bashki, për çdo familje, me një kilometër të ri, një shtëpi të re, një shkollë të re”, theksoi Ahmetaj.

Punimet në këtë zonë po kryhen nga qeveria turke.

“Kemi bërë gërmime deri në 100.000 m3. 50.500m3 kemi bërë blindat. Deri tani kemi hedhur 4500 m3 beton. Kemi përdorur afërsisht 1000 m3 hekur. Është një kantier ku mund të punojnë 1000 punëtorë. Të gjitha këto i kemi realizuar brenda 3 muajve. Zona 1 do të mbarojë deri në muajin mars. Në këtë zonë janë 160 apartamente. Zonën dy planifikojmë ta mbarojmë deri në muajin qershor. Shpresojmë që deri atëherë t’i kemi përfunduar të gjitha punimet. Kjo që duket pas meje është zona 1. Kemi filluar hedhjen e betonit edhe për pjesën tjetër. Brenda muajit mars planifikojmë ta mbarojmë këtë zonë. Dy vinçat që shihni pas meje 60 dhe 53 metër si dhe gjithë makineritë e mëdha i kemi sjellë nga Turqia. Dhe të tjerat do t’i sjellim për zonat e tjera. Nga banorët kemi marrë shumë pozitivitet. Po mundohemi ta mbarojmë sa më shpejt projektin. Siç e shihni edhe pse po errësohet ne vazhdojmë punimet”, shprehet një inxhinier turk.

Zona e re për zhvillim në Kurbin parashikon 13 pallate, 524 apartamente, 375 vendparkime, 1 qendër tregtare, 37 njësi shërbimi.

Ndërsa kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara thekson se, “jemi një vit pas tërmetit të tmerrshëm të datës 26 nëntor. Jemi në kantierin e zonës 1, 2, ku ka filluar tashmë infrastruktura e kësaj zone. Përballë kemi edhe kantierin tjetër të rindërtimit, ku punimet kanë avancuar. Është projekti i qeverisë turke, ku do të ndërtohen 524 apartamente. Ndërkohë që pjesa tjetër e apartamenteve do të ndërtohen në zonën 1,2 nga FSHZH dhe qeveria shqiptare”.

“Një vit pas tërmetit qyteti i Laçit, por dhe i gjithë Kurbini po ringrihet i tëri. Është i tëri në ndërtim. Tashmë të gjithë banorët që kanë pasur dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit trajtohen me bonus qiraje dhe janë akomoduar në shtëpi me qira”, shprehet ajo.

“Përveç dy zonave për zhvillim tashmë zonës së parë dhe zonës së dytë në Kurbin do të ndërtohen nga programi i rindërtimit edhe 565 banesa individuale”, tha Cara.

Cara shton se janë dhe 10 institucione arsimore që do të rindërtohen.

Ajo thekson se, gjithashtu do të rindërtohet edhe spitali i qytetit dhe institucioni i bashkisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.