Protokollet antiCOVID/ Gjoba për 659 qytetarë për mosmbajtje maske

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Policia e Shtetit ka gjobitur 659 qytetarë për mosmbajtje maske, 11 qytetarë u gjobitën pasi u kapën duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00. Masë administrative edhe për 2 subjekte që nuk respektuan masat antiCovid.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 659 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë secili, 2 lokale në ambientet e të cilëve nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 11 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.