TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Abu-Dabi një takim me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.
“Me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, pas firmosjes së dy marrëveshjeve, njëra për fillimin e rindërtimit të 2000 apartamenteve në Durrës dhe tjetra, për bashkëpunimin ekonomik ndërqeveritar me fokus investimet direkte”, – tha Kryeministri Rama duke sjellë pamje nga ky takim.
Kryeministri Rama tha më herët se “qeveria shqiptare do të financojë infrastrukturën e lagjes së re Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe Muhamet El Alabar, ndërtuesi i disa prej ngrehinave më mbresëlënëse në Lindjen e Mesme por jo vetëm, si p.sh Khalifa, godina më lartë e Dubait do të realizojë qoftë banesat e Spitallës, qoftë edhe banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga goditja e 26 nëntorit të shkuar”./k.s/j.p/r.e/