P/ligjin “Për Censusin”/ Ekonomi: E domosdoshme të kuptohet panorama e personave dhe bashkive që u prekën nga tërmeti

 

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Kuvendi diskutoi sot ndryshimet e propozuara në p/ligjin “Për Censin”.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi se Censi synon t’u ofrojë Kuvendit, qeverisë, njësive të vetëqeverisjes vendore, organizatave ekonomike, shkencore e kulturore, si dhe gjithë shoqërisë civile të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe realizimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për analiza private e publike të vendimmarrjes, kërkime shkencore dhe, në përgjithësi, për përmirësimin e njohjes e të kuptuarit nga shtetasit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.

“Praktika ndërkombëtar kërkon që të dhënat të kolaudohen dhe i vetmi instrument që e lejon këtë gjë është Censusi i popullsisë dhe banesave. Kombet e Bashkuara që kanë menduar për një barazi në këtë operacion tregojnë që censusi është operacioni më gjithëpërfshirës dhe më i plotë, i cili ka të bëjë me grumbullimin, përpilimin dhe botimin e të dhënave, jo vetëm për personat, por edhe banesat dhe shërbimet që ofrohen në to”, u shpreh Ekonomi.

Censi ofron të dhëna për numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë vendbanuese,  strukturën demografike dhe karakteristikat kryesore të popullsisë, numrin, shpërndarjen gjeografike dhe strukturën e banesave e të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi dhe kushtet e strehimit të popullsisë.

“Në Shqipëri regjistrimi është kryer për herë të parë në 1923 dhe është zhvilluar në mënyrë periodike një herë në 10 vjet. Censusi i 2021 është regjistrimi i banesave i cili vjen mbi bazën e disa ndryshimeve që kanë ndodhur, referuar reformës së re territoriale dhe pas ndryshimit të madh gjeofizik, i cili shkaktoi dëme në banesa e persona. Numri i banesave që u prek nga tërmeti përbën 18% të banesave në bashkitë e prekura nga tërmeti dhe numri i personave që pësuan dëme direkt apo indirekt llogaritet 203 mijë persona. Ndaj lind e domosdoshme që të kuptohet e gjithë panorama e personave dhe bashkive që kaluan këtë proces”, tha Ekonomi.

Sipas saj, duhet të kemi parasysh që në këtë proces integrimi që është Shqipëria projektligji “Për censin” e popullsisë dhe banesave shkon edhe sipas objektivave strategjik dhe prioriteteve që janë të përcaktuar në kapitullin e 18 të planit kombëtar për integrimin europian.

“Regjistrimi i popullsisë dhe banesave u shërben jo vetëm komunave dhe bashkive, por u shërben edhe kërkuesve apo atyre që merren me planifikimin e shërbimeve publike sepse ndihmon në të dhëna të disagreguara dhe në nivel shumë të vogël territorial”, theksoi ajo më tej.

Ekonomi tha se edhe shqetësimet që mund të kemi për përkatësinë etnike janë të zgjidhura pasi projektligji është ndihmuar nga përfaqësues të Eurostat, delegacionit të BE-së në Tiranë, Kombeve të Bashkuara dhe të vendeve anëtare./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.