“Nuk merret karrigia me të vdekur”/ Spiropali: Qeveria po zbaton me përpikëri tri strategji për përballimin e pandemisë

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u shpreh se, “sot në 1-vjetorin e tërmetit katastrofik që la pas 51 viktima, 14 mijë familje pa strehë, shkatërroi infrastrukturë dhe trashëgimi kulturore, nuk mund të mos ndjejmë dhe të mos përjetojmë dramën e madhe të rënduar nga situata e rënduar e këtij viti të shkaktuar nga pandemia, ku vdekja na ka cikur aq pranë, ku vdekja na ka ardhur aq pranë tek të afërmit tanë, tek të dashurit tanë, tek profesionistët”.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend ajo tha se, “vetëm dje humbëm dy mjekë të dashur dhe të nderuar dhe shumë të tjerë në këtë bilanc vdekjesh që tingëllojnë si bilanc lufte dhe në këtë moment siç tingëllon dhe një thënie e vjetër, ‘që vdekja i vesh edhe të vdekurit edhe të gjallët me dinjitet’, do të donim ta kalonim me dinjitet këtë situatë dhe besoj këtë kemi bërë”.

Në këtë kontekst vijoi ajo, “jo vetëm duke alokuar buxhet, që e kemi për detyrë për ta  përballuar këtë gjëmë të rëndë, që nga tërmeti me rindërtimin deri më tani, me pasojat e rënda ekonomike të pandemisë. Por edhe si njerëz si profesionistë edhe si qytetarë dhe politikanë që duhet të jemi të kujdesshëm me fjalët tona, sepse edhe fjalët rëndojnë edhe fjalët vrasin”.

Spiropali theksoi se, “nuk mund të lë pa përmendur mënyrën e padinjitetshme me të cilën është përballur në këtë fatkeqësi kombëtare, opozita jonë që herë në zyrën e Presidentit të Republikës krijon komitete antishtetërore, jo vetëm antiqeveritare, ku jepen opinione lloj-lloj, pa asnjë kujdes për bilancin ku jemi, për masat që janë marrë”.

Ajo kujtoi se doktorë në rolin e politikanit, thanë që nuk ka asnjë strategji qeveria shqiptare. Kur në fakt, theksoi Spiropali, ka tri strategji qeveria shqiptare deri më tani që po i zbaton pikë për pikë. Duke përfshirë edhe skenarët e rëndë për vjeshtë-dimër, për të cilët jemi të përgatitur.

“Nuk mund të rri pa dhënë një përgjigje për akuzën e rëndë që të vdekurit po fshihen. Të vdekurit nuk janë kaseta apo filmime të 21 janarit, të vdekurit nuk mund të fshihen. Nuk ka mjek nuk ka doktor, që po rri me gjumë pa gjumë pa takuar familjen, në një situatë të jashtëzakonshme presioni që të mund të fsheh të vdekurit nga Covidi”, – deklaroi Spiropali.

“Në fillim të pandemisë shpreheshin që po i shtojnë të vdekurit në mënyrë të marrin fonde nga BE paturpësisht. Ndërsa tani thonë po ulin numrin e vdekjeve në mënyrë që të fshehin dështimin me pandeminë. Kjo është paturpësi”, – tha Spiropali.

Ajo dënoi daljen në media të fotove nga morgu.

“Fotot që dolën nga morgu ishin një skenar i parapërgatitur nuk ishte rastësi, por ishte e paralajmëruar. Cila opozitë në botë nxjerr foto nga morgu në një situatë të tillë ku njerëzit janë të ngarkuar psikologjikisht dhe vuajnë për familjarët e tyre që i kanë të sëmurë apo të shtruara.Të gjithë mjekët janë në këmbë për ti shërbyer dhe akuzat mbi moralin e tyre mbi profesionalizmin e tyre, patjetër  edhe me ngarkesë ligjore se të fshehësh të vdekurin është vepër penale janë të papranueshme. Të gjithë jemi duke bërë përpjekje me buxhete e akte normative, këta janë aty për të bërë luftë për karrigen e tyre”, – tha ajo.

“Nuk merret karrigia me të vdekur. Nuk fitohet pushteti dhe dhunë vetëm me votë. Ne do të vazhdojmë punën tonë me mjekët dhe buxhetet dhe do t’ja dalim”, – deklaroi Spiropali.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.