Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit ku humbën jetën 51 persona

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Sot bëhet një vit ku mëngjesin e 26 nëntorit, Shqipëria u trondit nga tërmeti 6.4 ballë ku humbën jetën 51 persona, mbetën të plagosur mbi 900 të tjerë ndërsa u shkatërruan me mijëra banesa.

Zonat që tërmeti shkaktoi dëme më të mëdha ishin Durrësi, Kurbini, Tirana dhe Lezha.

Pamjet e para në orët e mëngjesit të asaj dite ishin tronditëse, mes jetës dhe vdekjes, pallate, shtëpi dhe shkolla të shkatërruara. Efektivë të ushtrisë, policisë dhe zjarrfikëse që vraponin për të shpëtuar jetë njerëzish poshtë rrënojave të kësaj fatkeqësie natyrore.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi dhe solidariteti i vendeve fqinje dhe përtej. Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, Greqia, Italia, Turqia dhe Franca, do të vazhdonin operacionet pa ndërprerje për të shpëtuar jetë njerëzish poshtë rrënojave që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Tashmë një vit pas atij mëngjesi tragjik nga kjo fatkeqësi natyrore, shumë familje po hyjnë në banesa të reja, ndërsa puna vijon me intensitet edhe për rindërtimin e shumë të tjerave. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.