Ngrihet Komiteti i Mbrojtjes Civile/ Kryesohet nga ministri i Mbrojtjes

 

TIRANË, 26 nëtor/ATSH/ Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile (KMC), i cili do të jetë organi më i lartë, i përhershëm, përgjegjës për zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë.

Sipas vendimit të qeverisë, KMC-ja kryesohet nga ministri i Mbrojtjes dhe ka në përbërje ministrin e Brendshëm, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Kulturës, drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, si dhe kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.

Në varësi të nevojave, në mbledhjet e KMC-së ftohen edhe përfaqësues nga institucione shkencore dhe monitoruese, drejtues të strukturave qendrore, organizata joqeveritare etj.

KMC-ja mblidhet, sa herë gjykohet e nevojshme nga kryetari i tij, për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave në bashkërendimin e punës për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive dhe mbrojtjen civile. Të drejtën e propozimit për thirrjen e mbledhjes së KMC-së, përveç kryetarit të tij, e ka edhe çdo ministër, sipas fushës së përgjegjësisë dhe llojit të fatkeqësisë.

Po ashtu, në vendim përcaktohet se KMC-ja zbaton politikat që kanë të bëjnë me vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror, Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile, propozon ndryshime apo përditësime të tyre.

KMC-ja është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon e koordinon veprimtaritë dhe aktivitetet ndërinstitucionale të institucioneve e të strukturave dhe të të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile.

Në vendim përcaktohet se KMC-ja, me kërkesë të prefektit, në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 (tetë) % të buxhetit të bashkisë, merr vendim për kompensimin e dëmeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Pranë AKMC-së ngrihet e funksionon sekretariati teknik i KMC-së, i cili është përgjegjës për përgatitjen e materialeve të mbledhjes dhe për njoftimin e anëtarëve të KMC-së për mbledhjen e radhës, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë përpara datës së zhvillimit të saj. Përbërja e sekretariatit teknik të KMC-së përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Çdo ministër është përgjegjës për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në fushën e përgjegjësisë shtetërore të institucionit që drejton, nëpërmjet sektorit për mbrojtjen civile. Ministritë hartojnë plane, programe e dokumente të tjera që kanë për qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas llojit të veprimtarisë e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në vendim.

Sektorët për mbrojtjen civile në ministritë përkatëse, thuhet në vendim, aktivizojnë, me kërkesë të AKMC-së, kapacitetet e parashikuara për emergjencë civile, për të reaguar me shpejtësi dhe efektivitet në rastin më të parë të mundshëm, por asnjëherë më vonë se 2 (dy) orë./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.