Ndryshimet në vendimin për zonën e lirë ekonomike në Vlorë/ 120 familje përfitojnë legalizimin e banesave

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Së paku 120 familje pritet të përfitojnë nga vendimi i fundit i qeverisë për zvogëlimin e sipërfaqes së parashikuar për zonën e lirë ekonomike në Vlorë.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e ka cilësuar si “lajm i mirë“ pasi 120 familje do të mund të legalizojnë banesat e ndërtuara në këtë zonë.

“Lajm i mirë miratimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e kufirit të zonës ekonomike ZK 8604 në qytetin e Vlorës. Ky akt i hap rrugën Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të kryer brenda pak kohësh legalizimin dhe dhënien e dokumenteve të pronësisë për banorët e së paku 120 objekteve që kanë kaluar fazën e vetëdeklarimit”, deklaroi deputeti socialist.

Sipas Gjiknurit, ky ishte një angazhim i marrë para banorëve dhe premtim i mbajtur që i jep fund kalvarit të tyre 15 vjeçar në kushtet e pamundësisë për certifikimin e pasurisë.

Qeveria miratoi një ditë më parë ndryshimet në vendimin për shpalljen “zonë ekonomike” me statusin e “zonës së lirë“ të një territori në Vlorë.

Ndryshimet parashikojnë zvogëlimin e zonës së lirë nga 478.14 ha në 448.6 ha./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.