Ministrja serbe refuzon Cakajn si “Qytetar Nderi” i Bujanocit: Akuzoi Serbinë për krime lufte dhe gjenocid

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Ministrja e Administratës Publike dhe Vetadministrimit Lokal, Marija Obradoviq, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë, ka folur për propozimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, që ministri Gent Cakaj, të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit.

“26 këshilltarë, kanë propozuar që Ministri Cakaj të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit. Ata e kanë dërguar propozimin më 20 nëntor, dhe në mënyrë ligjore kanë vepruar, ku unë si ministre është dashur të nënshkruaj propozimin. Por, unë sot kam nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet, propozimi i Kuvendit Komunal të Bujanocit, që Ministri shqiptar, Gent Cakaj, të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit”, deklaroi Obradoviq, bëri të ditur sot Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Si arsyetim për refuzimin e propozimit të Bujanocit, Obradoviq deklaroi se, Cakaj vazhdimisht ka akuzuar Serbinë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe se nuk mund të nënshkruajë një dokument për një ministër shqiptar që akuzon Serbinë, derisa është e vetëdijshme që ministri Cakaj, i ka ndihmuar shqiptarët për krijimin e koalicionit për zgjedhjet parlamentare.

“Ministri Gent Cakaj, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, Serbia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra shqiptarëve, për deportimin e miliona shqiptarëve dhe djegien e mijëra shtëpive”, ka deklaruar ministrja Obradoviq si argument të refuzimit të saj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.