Mësimi i alternuar/ Kushi: Skenar fleksibël, rreth 97% e studentëve akses në mësimin online

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e ftuar në një studio televizive, sqaroi sot se si do të funksionojnë shkollat sipas skenarit me mësim të alternuar në klasa dhe online.

“Ne po zbatojmë një skenar shumë fleksibël. Ka disa zona ku situata e pandemisë është e rënduar, por ka edhe zona ku ka pak raste. Kemi zona në fshatra ku pothuajse nuk ka pasur fare të infektuar. Aty ku shkollat janë të vogla e numri i nxënësve i ulët, ne kemi rekomanduar të zbatohet skenari i parë njësoj si sot. Në shkollat e tjera ku ka numër të madh, ku klasat ndahen në grupe dhe ku ka pasur raste të infektuarish, këtu është e domosdoshme të zbatohen skenarë të tjerë”, tha Kushi.

Ajo theksoi se “dinamikat e kësaj situate na kanë treguar se vendimet janë edhe të momenteve të fundit”.

Ministrja theksoi se “ne e kemi informacion për çdo shkollë se çfarë ndodh”. “Nga 1760 shkolla në gjithë Shqipërinë, 1100 shkolla, pra 68% e të gjithë nxënësve e bëjnë mësimin vetëm me një turn. Të tjerë e bëjnë me 2, 3 në disa raste edhe me 4 turne, se janë shkollat që presin nxënësit e prekur nga tërmeti”, tha ajo.

Ajo tha se edhe vendimi për zhvillimin e mësimit të alternuar është marrë duke u konsultuar edhe me eksperiencën e shumë vendeve të tjera. “Për vendimin që morëm për mësim të kombinuar kemi studiuar dhe analizuar të gjitha eksperiencat e vendeve përreth nesh. Vendimet që marrim janë të menduara mirë, sugjerimet na i jep Komiteti i Ekapertëve sepse shëndeti është në fokus”, tha ajo.

Kushi theksoi se “ne kemi në monitorim dhe shkollat private dhe një pjesë e mirë e tyre i plotësojnë shumë mirë kushtet, kanë një numër të vogël në klasa dhe ne prandaj tek udhëzimi që morëm kemi lënë fleksibilitet të lartë që nëse i kanë mundësitë, nëse nuk kanë raste të infektuarish, në varësi të specifikave mund të aplikojnë skenarin aktual”.

“Kemi lënë edhe opsionin që prindi të vendosi vetë nëse do ta çojë fëmijën në shkollë apo e do mësimin online”, tha ajo.

“Edukimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm. Është shumë e thjeshtë të mbyllësh shkollat por dëmi që i shkaktojmë fëmijëve, jo vetëm nga ana e njohurive por edhe problemeve sociale që mund të shfaqin është shumë i madh. Sidomos te cikli fillor”, tha ajo.

Lidhur me aksesin e nxënësve në internet dhe në kompjuter, Kushi tha se “gjatë këtyre muajve të parë ne kemi qenë pothuajse në të gjithë territorin, në shkolla ku ka klasa kolektive dhe kemi shpërndarë tableta dixhitale. “Janë 23 mijë nxënës në këto klasa dhe vetëm me kontributin e një biznesi me përgjegjësi sociale kemi shpërndarë 15 mijë tablete”, tha ajo.

Lidhur me efikasitetin e mësimit online, Kushi tha se “sa i takon periudhës së parë të pandemisë u bënë sondazhe, studime, diskutime me universitetet dhe atëherë ishte më e  vështirë”. “Pandemia na gjeti të gjithëve të papërgatitur. Pati problematikë. Disa universitete u përshtatën shpejt, disa ngadalë, por në përgjithësi u realizua. Këtë vit universitetet janë më të organizuar”, tha Kushi.

Ndërkohë aktualisht, Kushi tha se rezulton se “rreth 97% e studentëve kanë akses në mësimin online”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.