Manastirliu: Miratimi i urdhrit të punonjësve socialë, më shumë garanci në shërbimin që ata do të sjellin

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi sot “projektligji që vjen për miratim sot është shumë i rëndësishëm, së pari, sepse ndërton një urdhër të munguar në të gjithë sistemin tonë të mbështetjes, mbrojtjes dhe integrimit social”.

Në fjalën e saj në Kuvend, duke folur për disa ndryshime dhe shtesa në projektligjin “Për urdhrin e punonjësve socialë”, Manastirliu tha se “urdhri për punonjësin social do të vendosë në një standard të ri shërbimin, që punonjësit socialë do të sjellin në të gjithë sistemin e mbrojtjes shoqërore. MSHMS ka nevojë tërësore për të patur garanci në shërbimet që ofrohen në të gjithë strukturën e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, ku element kyç është punonjësi social, ashtu sikurse është psikologu, ashtu sikurse në sistemin e shëndetësisë mjeku e infermieri luajnë rolin kryesor”.

“Në gjithë këto urdhra që janë ngritur deri tani e funksionojnë dhe orientojnë zhvillimin e punonjësve të shëndetësisë dhe atyre të psikologëve, urdhri i punonjësve socialë është i munguar deri më sot”, shtoi ajo.

Ministrja tha se “miratimi i urdhrit të punonjësve socialë do të sjellë më shumë garanci në shërbimin që këta punonjës do të sjellin, do garantojnë të kemi punonjës të certifikuar, të cilët vit pas viti sigurojnë kualifikimet e nevojshme për ta vijuar punën me ata të cilët shërbejnë, siguron mbledhjen e të gjithë profesionistëve në një ombrellë të nevojshme, për tu zhvilluar më tej dhe garanton ato që deri më sot nuk e kishin”.

Më tej ministrja tha se “ashtu si çdo vit kemi filluar 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, në familje, dhe ndaj grave e vajzave. Ne jemi të angazhuar maksimalisht për të ndërtuar sisteme të mirëfillta të parandalimit,  të integrimit, të mbrojtjes sociale për të gjitha ato gra dhe vajza”./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.