Kryemadhi: Familjeve të prekura nga tërmeti, nuk iu është mundësuar një strehim i sigurt

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se “edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti që i mori jetën 51 personave, ende nuk i është mundësuar një strehë personave që kanë mbetur pa banesë”.

Kryemadhi, duke kujtuar 1 vjetorin e tërmetit të Durrësit, u shpreh se “lëkundjet sizmike të mëngjesit të 26 nëntorit të viti të shkuar zbuluan Shqipërinë përtej fasadës së Rilindjes”.
“Një vit më parë, zemrat tona u ndanë më dysh prej tërmetit që tronditi themelet e Shqipërisë, duke rezultuar në humbjen e jetëve të 51 qytetarëve tanë. Solidariteti vëllazëror mes shqiptarëve dhe mbështetja e miqve të huaj na mundësoi të qëndronim në këmbë gjatë atyre momenteve shumë kritike pasigurie për familjet shqiptare, për ekonominë shqiptare, për biznesin dhe punonjësit”, – shprehet Kryemadhi.

“Lëkundjet e tokës, treguan për të gjithë, Shqipërinë përtej fasadës së Rilindjes. Pas tyre, Shqipëria pati një përballje katastrofike me krizën që la pas tërmeti. Ende sot, 1 vit nga ngjarja tragjike, familjeve që i mbijetuan tërmeteve nuk iu është mundësuar një strehim i sigurt, por janë lënë në mes të rrugëve, pa zgjidhje. Ndërsa ekonomia dhe papunësia vazhdon përkeqësimin, shqiptarët vazhdojnë emigrimin”, – akuzon Kryemadhi.

Sipas saj, “rindërtimi nuk duhet të përdoret nga qeveria si një program propagande”.

“Krizat kërkojnë lidership të përgjegjshëm në drejtim, që nuk nxit probleme por zgjidh probleme. Ka nevojë për drejtues që të kenë ndjeshmëri ndaj qytetarëve dhe vizion bashkimi për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të krizave, të problemeve ekonomike dhe sociale që ato shkaktojnë”, – tha ajo.

“Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për të gjithë, jo vetëm për ata të lidhur me të”, – përfundoi Kryemadhi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.