Komisioni i posaçëm për raportin e Dick Marty-t/ Balla: Nuk ka objekt hetimin e Bashës, është komision faktmbledhës

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar nuk ka si objekt të hetojë, pasi atë e bën prokuroria, por është një komision faktmbledhës i të gjitha materialeve lidhur me raportin e Dick Marty-t dhe akuzat e ngritura prej tij se UÇK ka kryer krime lufte në vendin tonë gjatë viteve 1998-1999”.

I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “pas mbledhjes së të gjitha materialeve do të hartohet një raport informues dhe do të shoqërohet me një rezolutë që do të nxjerrë edhe qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë mbi këtë çështje”.

“Nuk ka komision hetimor parlamentar. Është shumë e qartë në objektin e punës së komisionit, është komision i posaçëm. Jo, nuk do ta hetoj Bashën. Basha s’ka nevojë të hetohet vetëm të sqarojë PD-në se populli shqiptar dhe ai i Kosovës është sqaruar nga heshtja e Lulzim Bashës”, tha Balla.

“Kuvendi nuk ngre vetëm komisione hetimore, por edhe komisione të posaçme për çështje të veçanta, tani Shqipëria duhet të mbaj qëndrim për çështje që nuk janë vetëm supozime, abuzime të një raporti të hartuar në rrethana shumë të dyshimta, por mbi bazën e thashethemeve. Janë ngritur aktakuza shumë të rënda kundër 4 ish-komandantëve të luftës së UÇK-së”, tha Balla.

Ai theksoi se “Shqipëria ka juridiksion brenda 28 mijë kilometrave katrorë të vetat, jo përtej”.

“Nisur nga raporti i Dick Marty supozpohet se në Shqipëri, në Kukës e Has kanë ndodhur krime lufte të shkaktuara nga UÇK. Nga viti 1999 institucionet ligjzbatuese shqiptare kanë bërë verifikimet e veta. Ajo që i duhet Shqipërisë përpara se të mbajë një qëndrim të vetin për këtë çështje, duhet të mbledhë të gjitha materialet ndër vite dhe të krijojë një raport të sajin”, tha ai.

Balla tha se “ndoshta duhej bërë që në 2011, por ndoshta nuk u vlerësua mirë”.

“Tani kemi kaluar në një situatë të re për shkak të ngritjes së akuzave ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Ne nuk po hetojmë, këtë të drejtë e ka prokuroria. Ne mbi bazën e hetimeve do të hartojmë një raport informues që gjithë materialet mbi këtë çështje të mblidhen nga ai komision i posaçëm”, tha ai, ndërsa shtoi se “nuk është vendosur përbërja e komisionit”.

Në lidhje me kasetën e masakrës në Krushë të Madhe dhe akuzave që janë ngritur ndaj kryedemokratit Lulzim Basha për fshehjen e saj, Balla tha se ky nuk është objekt i komisionit të posaçëm dhe se Lulzim Basha nuk do të jetë fare pjesë e komisionit të posaçëm. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.