Komisioni hetimor për raportin e Dick Marty/ Balla: Do tregojmë me dokumente zyrtare që në Shqipëri s’janë kryer krime lufte

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Ngritja e Komisionit Parlamentar Hetimor për raportin e Dick Marty, ka si qëllim jo hetimin e kreut të Partisë Demokratike, por për të treguar rrjedhën e historisë dhe për të treguar e dokumente zyrtare që në Shqipëri s’janë kryer krime lufte.

Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga Kuvendi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Martin që implikon UÇK-në dhe e akuzon këtë të fundit se ka kryer krime lufte në territorin shqiptar.

Balla gjatë fjalës së tij në kuvend, saktësoi se, Basha duhet të qetësohet, pasi ai nuk është pjesë e hetimit, pasi komisioni do ketë në fokus dokumentimin e faktit se në Shqipëri s’janë kryer krime lufte. “Është një detyrë e jona patriotike për ta dokumentuar me fakte se në Shqipëri nuk janë kryer krime lufte. Të vetmet krime lufte të kryera, janë ato të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, krim ka qenë genocidi serb në Kosovë”, – tha Balla.

“Më 2008 ka pasur një tentativë për të miratuar një rezolutë për të ashtuquajturat krime kundër njerëzimit të ndodhura në territorin e Shqipërisë nga UÇK. Është në kredibilitetin e Kuvendit që të hetojë, në funksion të përmbledhjes së fakteve dhe konkluzioneve, në të cilat kanë mbërritur institucionet shqiptare që kanë hetuar”, – tha Balla.

“Është kërkuar ngritja e komisionit të posaçëm, që të mbledhë deputetë nga të gjitha grupet këtu në Kuvend, duke i dhënë peshë dhe rëndësinë që duhet me një përfaqësim sa më adekuatë me njerëz që e njohin këtë proces, të arrijmë të bëjmë bashkë të gjithë konkluzionet e arritura. Jemi të gjithë dakord që në Shqipëri nuk kanë ndodhur kurrë krime lufte. Lufta për liri dhe pavarësi nuk është kurrë krim lufte. Në këtë kontekst, do doja që bashkë me krerët e grupeve parlamentare të bëjmë një diskutim shumë konstruktiv për të përzgjedhur më së miri 9 deputetët e Kuvendit, që do të jenë pjesë e këtij komisioni. Nuk duhet kurrsesi të politizojmë këtë komision”, – tha Balla.

Sot jemi në një moment ku nga rezoluta dhe raporti kemi kaluar në një fazë, ku janë ngritur aktakuza përkundrejt luftëtarëve të Kosovës. Shqipëria është sot në një dokument zyrtar të një Dhome Speciale, në kuadër të tribunalit të Hagës, për t’u verifikuar”, – shtoi Balla.

“Ka pasur një përpjekje për të identifikuar këtë komision të posaçëm me diçka tjetër, me përfshirjen e Lulzim Bashës, nuk ka të bëjë fare komisioni me të. I bëj thirrje Bashës të qetësohet, nuk ka komision për ta hetuar, pasi do të ishte humbje kohe. Luli e ka vënë vulën e turpit, i takon demokratëve të ngrihen e t’i kërkojnë të sqarohet për rolin e tij në luftën e UÇK. E vetmja gjë që nuk më shkon kurrë në mendje është të bëj politik me një çështje të interesit kombëtar. Menjëherë sapo ta kemi miratuar komisionin, do duhet që përmes dokumenteve zyrtare të sqarojmë çdo institucion që në Shqipëri nuk janë kryer krime lufte apo kundër njerëzimit”, – tha Balla.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.