“Këndi Arkivor” i Arkivit të Shtetit hapet edhe në Pogradec

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Në bibliotekën e qytetit të Pogradecit u hap “Këndi Arkivor” i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Ky kënd është një hapësirë për të lexuar, studiuar dhe punuar, e hapur për akademikët, studentët, por edhe për çdo qytetar të Pogradecit, njësoj sikur të ishin në sallën e studimit në Tiranë.

Teknologjia e informacionit, dhe procedurat e ngritura tashmë nga DPA-ja mundësojnë këtë lehtësi qasjeje në dokumente arkivore duke u shërbyer qytetarëve në qytetet ku ata jetojnë dhe ku tanimë gjenden këndet arkivore.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, së bashku me kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli e përuruan Këndin Arkivor të DPA-së në këtë qytet.

Në fjalën e tij Bido tregoi se kjo nismë është një projekt madhor që ka për qëllim hapjen e 100 sallave të tilla studimi në të gjithë hapësirat shqiptare.

“Ne i përqendruam arkivat dhe bëmë pastaj gjithë pjesën tjetër, shërbimin e delokalizuar, në mënyrë që ky shërbim i delokalizuar të shkojë në çdo qytet të mundshëm, kudo ku ka një sallë biblioteke, që studiuesi dhe qytetari vjen. Në atë sallë studimi ku studiuesi vjen nuk sheh vetëm librin por edhe dokumentin, kështu që na duhej partneri lokal”, – tha Bido.

Kryebashkiaku i Pogradecit, Xhakolli është ndër drejtuesit e parë të bashkive që kanë mirëpritur këtë nismë dhe kanë ofruar infrastrukturën që këndi arkivor të jetë realitet.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët por edhe i institucionin” – tha Ilir Xhakolli.

“Këndi Arkivor Pogradec” është hapësira më e re e krijuar nga DPA pas hapjes së Këndit Arkivor në Gjirokastër, Shkup dhe Prishtinë.

DPA-ja u ka dërguar marrëveshje bashkëpunimi të gjitha bashkive në Shqipëri që të krijohen këndet arkivore kudo ku kjo do të jetë e mundur pasi ky është një shërbim shumë i rëndësishëm për qytetarët./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.