“Janë dhënë mbi 13 mijë bonuse qiraje”/ Xhafaj: Në zonat që rindërtohen, edhe institucione publike

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etjen Xhafaj deklaroi sot se në total që nga muaji dhjetor 2019 janë dhënë 13 356 bonuse qiraje për familjet e prekura nga tërmeti.

I ftuar në një studio televizive, Xhafaj tha se “janë bërë 4 rishikime të buxhetit për të alokuar fonde për rindërtimin”.

“I është bërë një ftesë opozitës nga kryeministri të përfshihej në grupet e punës, nga momenti i vlerësimit të dëmeve dhe u refuzua. Sepse është rol shumë komod ky, drejto gishtin dhe kaq”, tha Xhafaj.

Ai theksoi se i gjithë procesi është bërë me standarde dhe për të arritur deri këtu bëhen fillimisht projektet”.

“U vlerësuan objektet. Ka qenë një vlerësim paraprak. Vetëm në Tiranë janë 23 mijë vlerësime, që janë në proces e sipër. Kemi 5427 objekte për DS4, DS5 që kërkojnë vlerësim të thelluar”, tha ai.

Xhafaj theksoi se “është bërë vlerësimi i situatës bazuar mbi parimin human të nevojës për strehim”.

Ndërkohë, ai theksoi se “që të mos jenë zona të harruara dhe geto, do të ketë zhvendosje të institucioneve publike në zonat që rindërtohen”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.