FOKUS – Pandemia ka prekur rëndë besimin e konsumatorit gjerman

BERLIN, 26 nëntor /ATSH-DPA/ – Besimi i konsumatorit në Gjermani mori një goditje të rëndë në nëntor, kur qeveria riktheu kufizimet e mëdha dhe mbylli bizneset në përgjigje të një vale të dytë të COVID-19, sipas institutit kërkimor GfK.

Studimi në lidhje me klimën e konsumit nga GfK vjen një ditë pasi kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord të zgjasin mbylljen të paktën deri më 20 dhjetor, me disa lehtësime të planifikuara gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

“Megjithëse dyqanet do të qëndrojnë të hapura, mbyllja e rinovuar e hoteleve, restoranteve dhe industrisë së evenimenteve , si edhe industria e turizmit tashmë në vështirësi, ka patur një ndikim serioz në klimën e konsumatorit”, tha eksperti për Konsumatorin i GfK-së, Rolf Buerkl.

“Si rezultat, çdo shpresë që kishim ende në fillim të verës për një rimëkëmbje të shpejtë tani ka humbur”, tha ai, duke shtuar se vetëm një ulje drastike e numrit të infektimeve mund të përmbysë trendin.

Sipas institucionit, ekzistonte gjithashtu pak shpresë që eksportet të mund të sigurojnë një nxitje, duke patur parasysh përhapjen e virusit dhe kthimin pasues të masave të rrepta në vendet europiane, që janë partnerët kryesorë tregtarë për Gjermaninë.

Hulumtimi i GfK-sw bazohet në rreth 2 000 intervista me konsumatorë, të kryera çdo muaj, në emër të Komisionit Europian./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.