E sapoemëruar zv/presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kodheli: Vlerësim për Shqipërinë

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, e sapoemëruar zv/presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka theksuar se urimet në adresë të saj kanë qenë nga të gjitha krahët, pa dallime, majtas e djathtas.

“Dua t’ju falënderoj për urimet. Falenderoj këdo, të njohur e të panjohur. Falenderoj në mënyrë të veçantë kryetarin Ruçin dhe kryetarët e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, – u shpreh Kodheli në Kuvend.

“Pozicioni i zv/presidentes së Asamblesë në NATO është sa i lartë, aq dhe i mbushur me përgjegjësi. Të them të drejtën në këtë sallë, s’kam pasur dallime majtas apo djathtas për urimet. Le të rrimë kështu bashkë”, – tha Kodheli.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se emërimi i saj në këtë post është vlerësim për vendin tonë. “Urime në emër të Kuvendit. Ky është një vlerësim për Shqipërinë. Vlerësim për performancën e Kuvendit”, nënvizoi Ruçi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.