Braçe përkujton tërmetin e 26 nëntorit/ Thumanë një vit më parë, dielli do lindë përsëri

TIRANË, 26 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Thumanë një vit më parë. Dielli do lindë përsëri. Mëngjesi im në 26 nëntor të një viti më parë ishte i tillë. Nuk kisha qenë me parë në Thumanë. Një muaj më herët për shkak se lumi Zeze e Ishmi kishin dalë nga shtrati, kishin mbuluar autostradën, për me tej kalova nga rruga e vjetër mes Thumanës, por kaq”, shprehet zv/kryeministri  Erion Braçe, i cili ka përkujtuar 1 vjetorin e tërmetit të nëntorit 2019 dhe angazhimin e strukturave të shtetit në ndihmë të të dëmtuarve.

Braçe shton se “profesor Llambro Duni në 4.05, me precizoi epiqendrën e tërmetit që kish nxjerre 60% të Shqipërisë në rrugë Durrësi, Kruja përballë e ç’ka përreth-janë goditur fort. Të parit i telefonova Artur Bushit-kryetarit të Krujës. Po shkonte në Thumanë, shtëpinë e tij. Pse atje e pyeta. Më morën njerëzit e më thanë që ka rënë një pallat, po shkoj atje. I kërkova të nxitonte e të më thoshte sa të mbërrinte. Valbona Sako, kryetarja e Durrësit ishte nën shok, edhe ajo në rrugë me familjen. I kërkova të shkonte në zyrë bashkë me ta. Roland Nasto, prefekti i Durrësit ishte në rrugë gjithashtu, po verifikonte gjendjen. I kërkova të shkonte në bashki. Telefonatat i ndërpreu Artur Bushi, kishte mbërritur në Thumanë. Është katastrofë, tha, dhe dëgjova të ngashërente”.

“As e vura re që po bërtisja, ma kujtoi një komshi sot në mëngjes. Turo mos u dorëzo, më dëgjon apo jo, mos u dorëzo, po u dorëzove ti kush do i shpëtojë ata njerëz? I kërkova të mblidhte mjete për të nisur shpëtimin. Ardi Veliu, drejtori i Policisë ishte në zyrë, nuk më tregoi që godina qe bërë copash. Thjesht, më tha se FNSH e Tiranës po mbërrinte në Durrës. I kërkova njerëz për Thumanën. Kish nisur instiktivisht për poshtë FNSH e Shkodrës dhe i kërkova ti ndalonte në Thumanë, sa më parë. Olta ishte në zyrë dhe ushtria po bëhej gati të lëvizte. Ogerta po mbërrinte në spitalin Ushtarak, ndërkohë urgjenca po mbërrinte e shumtë në Durrës. Kërkova njerëz e ambulanca për Thumanën. Të gjithë po komunikonim me njeri-tjetrin në grupin e Qeverisë. Pa e kuptuar isha ngjitur në shtëpi, isha veshur, kisha puthur të mitë dhe isha në rrugë. Unë në Durrës, ti në Thumanë, e ndau Belinda”, tha ai.

Më tej, Braçe shton se Edi Rama që shihte tensionin në çdo fjalë, kërkonte qetësi dhe organizim, siguri dhe efikasitet në qendër të tragjedisë.

“Pas 50 minutash isha në Thumanë, dielli nuk kish lindur, buzë rrugës ishin dy km me eskavatorë e mjete, ambulancat kishin hyrë më thellë, mjekë e infermierë po ashtu, djemtë e FNSH të Shkodrës ishin poshtë pallateve të rrënuar, Besnik Bami me gjithë punëtorët e tij kish nisur kërkimin në rrënoja, specialet po i ndihmonin duke gërmuar me duar dhe imponuar heshtje për të dëgjuar zëra, ushtria sapo mbërriti dhe hyri në veprim. Rrapush Tola me Jordanin, njerëzit me të specializuar në kërkim e shpëtim prej ngjarjeve në miniera morën kontrollin e kërkim shpëtimit, ministri i Brendshme organizoi gjithçka, puna nisi te funksiononte. Toka u trondit edhe një herë shumë fort, por dielli lindi sërish”, tha ai.

Po ashtu, Braçe shton se, “e gjithë Thumana ishte në heshtje, heshtje. Shumë njerëz po vinin në ndihmë, sa shumë njerëz të mirë, kishin lënë shtëpitë e tyre dhe ishin aty. I kërkova Turit të identifikonim banorët e tre pallateve, gjendja civile dhe komshinjtë të identifikonin e bënim bilancin sa njerëz kishim ne rrënoja për të mos kërkuar në tym. Ishin Shumë. Qetësohesha kur i dëgjoja ti thoshin administratores se “tek kati i dytë, shtëpia anash ka qenë bosh, edhe tjera sipër një kat po ashtu”, por përsëri ishin shumë, të moshuar, prindër, djem, vajza të rinj, fëmijë, shumë. Kurrë me parë nuk kisha hasur një tërmet të tillë, kurrë më parë nuk kisha parë godina të shembura, kurrë më parë nuk kisha hasur, parë njerëz të gjallë apo pa jetë në rrënoja. Kurrë më parë nuk kisha bërë një punë të tillë”.

“Por puna mësohet, ta mëson nevoja dhe njerëzit, të gjithë me te cilët flisja prej orës 4.00 e që ishin aty. Koleget e mi, deputet, kryetarët e bashkive, policët, ushtarakët, mjekët e infermierët, kërkuesit e shpëtuesit, punëtorët, vendasit e ardhësit, nuk ua thashë në një vit”, tha Braçe. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.