Boçi për ATSH: Situata në zonat e prekura nga tërmeti ende kaotike

TIRANË, 26 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Situata në zonat e prekura nga tërmeti është ende tronditëse dhe kaotike”, tha sot për ATSH, ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi, ndërsa theksoi se “PD do ta konsiderojë prioritet themelor dhe do përqendrojë të gjitha resurset e energjive për ta përfunduar në total në kohë rekord, kthimin e familjarëve në shtëpi dhe nxënësit në shkolla”.

Në një intervistë për ATSH, Boçi tha se PD ka denoncuar vazhdimisht: dimri po afron, njerëzit janë ende jashtë.

“Shumë familje vazhdojnë jetën në çadra para rreziqeve të shumëfishuara dhe brenda një mjerimi epik. Kërcënim për ta është pandemia, dimri, por dhe mungesa e kushteve minimale për një jetë normale. Shumë të tjera i janë rikthyer banesave dhe pallateve të dëmtuara, të dala jashtë funksionit dhe ku rrezikojnë seriozisht jetën. Pasojat në jetën e tyre duket të jenë afatgjata, sepse ndikimi negativ tek pjesëtarët më të vegjël është i fortë, për shkak të çorientimit të plotë. Të gjendur pa strehë të sigurt, pa kujdes shëndetësor dhe arsimor, pa kushte jetese, këto familje po përjetojnë një dramë të shumëfishtë. Shumë prindër kanë humbur jo vetëm ritmin e jetës, por dhe punën, biznesin, të ardhurat e gjithçka”, tha ai.

Boçi tha se qeveria nuk ka mbajtur premtimin për ndërtimin e institucioneve arsimore.

“23 mijë fëmijë nuk janë në shkollat e tyre e bredhin dyerve “të botës” duke ikur kilometra larg, në mungesë totale të masave antiCOVID. Qindra shkollat e dëmtuara që u premtuan të ishin gati në shtator, sikurse banesat, nuk janë gati as tani në nëntor. Çfarë duhet ishte bërë më parë për rindërtimin e shtëpive, a ka kohë për të korrigjuar? Është e padurueshme kur sheh se sa pak ka bërë qeveria që nga katastrofa e vitin të kaluar. Të gjithë kemi dëgjuar kaq shumë premtime dhe kemi marrë kaq pak rezultate”, tha Boçi.

Po ashtu, Boçi shtoi se procesi i rindërtimit është larg realizimit brenda afateve.

“Nuk janë ndërtuar mjaftueshëm shtëpi të reja, shkolla të reja, ndërtesa të reja publike. Vetëm një pjesë e vogël e donacioneve dhe fondeve të ndihmës kanë shkuar për qytetarët e prekur nga katastrofa. Qeveria u përqendrua në dy pika fillestare: Propagandë, vjelje fondesh duke lënë mënjanë krejtësisht detyrimin ndaj njerëzve të dëmtuar. Këto të dyja i ka në perfeksion me regji të përqendruar kryeministrore. Propagandë për reklamë pushteti. Vjelje për hajdutëri pushteti. Rama këto lodra ka treguar se i luan mirë. Gjithçka tjetër pas kësaj është e kalkuluar për të fituar maksimalisht nga fatkeqësia e ndodhur. Vonesa, tenderime fiktive, çmime marramendëse, shtyrje afatesh, anulime tenderash sipas orekseve, gjobëvënie. Hullia në të cilën është futur rindërtimi, nuk ka shpresë dhe për të ka vetëm një zgjidhje: Largimin e hajdutëve të fatkeqësisë sa më shpejt”, tha ai.

“Të ndërtosh një shkollë 3 herë më shumë sesa e ndërton BE me standarde europiane është hajdutëri 3-fish. 2.1 milionë euro do kushtojë një shkollë e ndërtuar nga Veliaj. 680 mijë e njëjta e ndërtuar nga BE. Bëhet për braktisje të njerëzve në fatkeqësi, të familjeve të tëra e fëmijëve të tyre. Ndryshe nuk shpjegohet lënia rrugëve e tyre, lënia pa drejtim arsimor e nxënësve, lënia në mëshirë të pandemisë e të gjithëve”, tha ai.

Boçi tha se PD “me ardhjen në drejtimin e vendit do e konsiderojë prioritet themelor. Përqendrim i të gjitha resurseve e energjive për ta përfunduar në total në kohë rekord. Rikthim i familjeve në shtëpi të reja e të sigurta. Rikthim i fëmijëve në shkolla. Siguri për të gjithë. Duke stopuar çdo grabitje e vënë para përgjegjësisë çdo grabitës. Kthimin në normalitet total të jetës së këtyre familjeve në çdo aspekt. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit. Ne do të luftojmë me çdo mënyrë për të siguruar që procesi i rindërtimit të shkojë deri në fund dhe që fondet e premtuara për qytetarët të shkojnë të gjitha për nevojat e tyre. Në këtë ditë, si çdo ditë, ne kujtojmë viktimat dhe do t’i kujtojmë ata gjithmonë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.