Basha: 1 vit pas tërmetit, një numër i madh familjesh janë në çadra

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ -“Sot 1 vit pas tërmetit, një numër i madh familjesh janë në çadra”, deklaroi sonte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një intervistë televizive, Basha tha se “një vit më parë u premtua se brenda vitit familjet, shtëpitë e të cilave u dëmtuan do të futeshin në shtëpi të reja. Sot ky mbetet një premtim i parealizuar dhe në fakt një numër shumë i madh i familjesh, qytetarësh tanë janë edhe sonte që flasim ndërkohë që ka nisur acari i dimrit  të dytë janë në çadra”.

Gjithashtu, shtoi Basha, “mendoj se do të ishte në dinjitetin e këtij shteti që një vit pas ngjarjes tragjike të kishte vënë para drejtësisë përgjegjësit për të paktën për gjysmën e viktimave që ndodhën në Thumanë ku faktikisht të dy pallatet ishin deklaruar të pabanueshëm, banorët ishin nxjerrë fillimisht dhe jetonin në çadra”.

“Sot që flasim sipas statistikave zyrtare numri i atyre që janë në çadra është diku midis 2300-2400 familje, sipas statistikave zyrtare. Pra, absolutisht që e di se nuk flas me hamendësime, flas me fakte. Natyrisht numri është më i madh se kaq. Këto janë statistikat zyrtare. Pra le të themi se janë 5 mijë apo 10 mijë kontejnerë që duhen blerë. Nuk janë asgjë. Nëse t’i vendos që ky është prioritet që këta njerëz që mbetën pa shtëpi të paktën mos t’i kapi pneumonia dimrin e kaluar, tani dhe COVID-i”, tha Basha.

Basha foli edhe për akzuat në lidhje me punën e tij tek UNMIK. I pyetur nëse ka pasur rol drejtuesi operacional, Basha tha se, “kam qenë numri 4 pas Përfaqësuesit Special të OKB-së në UNMIK. Kam punuar për të ngritur aktakuzën ndaj Millosheviçit”.

“E kam thënë unë vetë, e kam deklaruar në CV. CV-ja është botuar që në 2004, është botuar në anglisht. Në 2005 kur i jam bashkëngjitur Komitetit të Orientimit të Politikave është botuar në shqip.  Sali Berisha ka lexuar CV-të e 42 anëtarëve të KOP-it, ka lexuar dhe CV-në time. Janë gjera publike. Jo vetëm që s’kam fshehur asgjë po jam krenar për çdo sekondë të jetës sime dhe në veçanti për rolin që kam luajtur në ato vite. Dhe kjo pikërisht ma bëri fare të thjeshtë, madje do të thoja që ishte një boomerang përpjekja e Edi Ramës për të kapitalizuar në një moment të tillë, të vështirë për Kosovën mbi një histori që e ka përdorur 3 herë më parë. Sa herë vijnë zgjedhjet, këtë histori nxjerr dhe këtë histori ia rrëzojnë miqtë e tij më të ngushtë, Dash Peza, Baton Haxhiu. Ia nxorën që janë shpifje”, tha Basha.

Basha foli edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19, duke u shprehur se nuk ka vend për përdorim politik të pandemisë.

“Nuk ka asnjë përdorim elektoral. Unë kam njerëz që kanë ndërruar jetë në spitale, të afërm farefis. Ka gjithsecili prej nesh këtu, secili njeh njerëz. Uroj sa më pak fatkeqësi afër jush. Jemi në kulmin e krizës. Nuk ka kohë këtu dhe nuk është koha për të bërë politikë elektorale. Zgjedhjet janë më 25 prill”, u shpreh Basha.

“Ditë për ditë kemi dhjetëra të vdekur. Kemi arritur vetëm javën e kaluar shifrën e shpallur zyrtare të pothuajse 100 vdekjeve, pothuajse 5000 infektimeve. Me këto nuk bëhet politikë. Këto kërkojnë zgjidhje”, tha Basha.

“Përballë ke një qeveri pa plan, pa zgjidhje, pa ide, pa masa. Ke një kryeministër që dhe në atë dalje që sapo nxorët aty nuk e hodhi kurrë poshtë faktin e denoncuar nga mjekët, të cilit unë i dhashë zë, që është qeveria jo mjekët që kanë manipuluar shifrat. Manipulimi i këtyre shifrave ka pasoja shumë të rënda për shëndetin e këtyre njerëzve”, theksoi Basha.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.