1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019/ Mesazhe në kujtim të viktimave të kësaj tragjedie

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Shqipëria përkujton sot 1-vjetorin e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona, mbetën të plagosur mbi 900 të tjerë, ndërsa u shkatërruan me mijëra banesa.

Sot një vit pas tërmetit personalitete të njohura të politikës në vend përkujtojnë viktimat e kësaj ngjarje tragjike.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shprehet, “i paharruar kujtimi i viktimave të tragjedisë së një viti më parë. Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh”.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se “sot përkujtojmë me dhimbje viktimat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe shprehim respekt e mirënjohje për punonjësit e Policisë, zjarrfikësit, personelin shëndetësor, miqtë që erdhën nga bota dhe gjithë ata që me përkushtim, solidaritet dhe sakrificë kontribuan që të shpëtohej jeta e shumë shqiptarëve të tjerë”.

Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka përkujtuar 1-vjetorin e tërmetit tragjik, ku thekson se u ringritëm edhe më të fortë se më parë.

“U ringritëm edhe më të fortë se më parë. I paharruar kujtimi i viktimave të 26 nëntorit 2019, tragjedisë që tronditi jo vetëm tokën, por akoma dhe më shumë zemrat e mijëra njerëzve në Shqipëri e përtej saj”, shprehet Xhaçka.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj duke përkujtuar tërmetin e një viti më parë u shpreh, “përkujtim dhe Respekt për 51 jetët e humbura një vit më parë nga fatkeqësia natyrore e 26 Nëntorit 2019. Solidaritet dhe mbështetjet qindra të tjerëve, jetët e të cilëve ndryshuan tërësisht brenda pak sekondave”.
Gjonaj theksoi se angazhimi i qeverisë shqiptare për Rindërtimin do vijojë me ritme të shpejta në gjithë zonat e prekura nga tërmeti.
“Qeveria shqiptare është krejtësisht e angazhuar që Rindërtimi të vijojë me ritme të shpejta në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti. Banesat po marrin tashmë formë, dita-ditës, për familjet që do të rikthehen në shtëpi të reja, më të mira se ato që humbën nëntorin e shkuar”, tha Gjonaj.
Ajo theksoi se, “Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka depozituar Kuvend nismën për të vënë para ligjit përgjegjësit e vërtetë”.
“Pasojat në jetë njerëzish dhe humbje materiale janë produkt i kryerjes së veprimeve të kundraligjshme të projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolauduesve të punimeve ndërtimore, që kanë pasur përgjegjësinë e ndjekjes me rigorozitet të rregullave që përcaktojnë kryerjen e ndërtimit sipas ligjit, të standardeve profesionale si dhe të kushteve të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit të këtyre objekteve, të cilat u prekën nga fatkeqësia natyrore e tërmetit”, u shpreh ajo.
Gjonaj tha se qëllimi i ndryshimeve në Kodin Penal ka si qëllim përcaktimin e përgjegjësisë  penale të subjekteve që janë përfshirë në ndërtim, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me rregullat teknike.
“Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal kanë për qëllim: 1. Përcaktimin e përgjegjësisë penale të subjekteve që janë të përfshirë në procesin e ndërtimit të objekteve, të cilët kanë vepruar në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me rregullat teknike dhe përcaktimet ligjore në fuqi; 2. Parandalimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale ndaj veprimeve apo mosveprimeve të kundraligjshme kundër objekteve, të cilat kryhen me qëllim rrëzimin e plotë ose të pjesshëm të tyre, duke cenuar të drejtën e pronës, vënien në rrezik të jetës apo shëndetit të personave, e të tjerë”, tha Gjonaj.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet “i paharruar kujtimi i viktimave të tragjedisë së një viti më parë. Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh”.

Bashkia e Durrësit përkujtoi gjithashtu jetët e humbura natën tragjike të 26 nëntorit, kur tërmeti goditi qytetin bregdetar.

“Prej asaj fatkeqësie nuk ka qenë e lehtë të ringrihemi, por të gjithë bashkë ia kemi dalë për të kaluar ditët më të vështira. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë ditë e natë me Rindërtimin në të gjithë territorin e bashkisë sonë, derisa të rekuperojmë edhe dëmin më të vogël. Durrësi është plagosur dhe rrëzuar edhe herë të tjera në historinë e tij të lashtë, por sërish ka gjetur forca të ringrihet dhe të jetojë edhe më mirë se më parë”, – thekson bashkia.

Bashkia e Durrësit shprehet se “kështu po ndodh edhe sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm, ku të gjithë bashkë po ia dalim mbanë që qytetin e përkulur nga një fatkeqësi natyrore ta rikthejmë dalëngdalë në normalitet madje edhe më të mirë, edhe më të bukur edhe më të fortë se më parë”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.