Zgjedhjet e 25 prillit/ Duka: Gjykoj se opozita do të dalë me 2 lista

TIRANË, 25 nëntor /ATSH – I. Vata/- Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi sot se nëse grupimi opozitar nuk mbetet i kënaqur nga oferta e PD-së, do vendosë si grup dhe mund të dalë më vete në zgjedhjet e 25 prillit.

Duka, tha në një emision televiziv se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit. Këtë, tha ai, ia ka thënë edhe Bashës gjatë një takimi.

“Ato i kanë të qarta ndarjet. Edhe në një komunikim që kam pasur me Bashën, ma ka thënë, ndaj ta garantoj që nuk dalin bashkë. Janë dy lista. Unë gjykoj që dy lista, një LSI dhe një PD. Pse PD do na fusë neve? Aty nuk të fut njeri për mik, por për vota. Doni apo s’doni, unë në Durrës mund të mos marr 9 mijë vota, po 8 mijë i marr. Këto partitë e vogla në qarqe të ndryshme të Shqipërisë mund të të heqin një kandidat”, tha Duka.

“Në këto kushte, ndryshimet i ka bërë Rama për të marrë pushtetin. Janë bërë në një mënyrë të njëanshme dhe në kohë shumë të kufizuar. Nëse do ishin koalicione parazgjedhore me siglat e partive në Durrës merrja 6200 vota. Tani më duhen 9000 vota. Brenda koalicioneve ka mundësi që të mbrosh vota. Dhe në këto kushte mbetet kandidimi brenda koalicionit të përbashkët”, shpjegoi ai.

Pyetjes nëse ka oferta nga të majtët, Duka u shpreh se nuk ndërron tre muaj para zgjedhjeve. “Nuk është se më ka ofruar njeri sepse kuptohet se nuk ka kuptim. Po nëse del në vete je më i lirë për të vendosur për të ardhmen”, u shpreh ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.