Testimi në banesë i qytetarëve për COVID/ Rama: Mirënjohje bluzave të bardha për sakrificën, përkushtimin e durimin

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Në luftën kundër COVID-19, një rol të rëndësishëm luajnë edhe ekipet e bluzave të bardha në terren, të cilët kryejnë testimet dhe gjurmimin e rasteve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video nga një ditë normale pune të bluzave të bardha, që kryejnë testimet e qytetarëve në nevojë në banesat e tyre.
“Mirëmëngjes dhe me një falënderim të madh për sakrificën, përkushtimin, durimin e bluzave të bardha që kryejnë testimet e qytetarëve në nevojë në banesat e tyre, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, tha Rama.
Lidhur me situatën aktuale të COVID, njëri prej mjekëve epidemiologëve, u shpreh se “ne që merremi direkt me punën në terren mund të themi që kemi një farë rritje të kërkesës së qytetarëve për testimin ndaj COVID”.
“Nga ana jonë jemi munduar që pjesën dërrmuese të kohës ta shfrytëzojmë për përballimin e situatës duke testuar sa më shumë njerëz, individë, kontakte me qëllim që ne ta vëmë nën kontroll”, tha ai.

Mjeku theksoi se “kemi pasur mbështetje të vazhdueshme dhe bonusi është marrë rregullisht nga gjithë stafi i terrenit dhe stafi mbështetës”. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.