Siguria ushqimore/ AKU kryen 527 inspektime dhe monitorime

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon në terren kontrollin dhe monitorimin e bizneseve për zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjesë së COVID-19.

Sipas AKU-së, gjatë ditës së sotme janë kryer 527 inspektime dhe monitorime. “Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 12 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, bën të ditur AKU.

Referuar planit të marrjes së mostrave janë marrë 30 mostra në monitorim të produktit qumësht, të produktit bukë për analizim të treguesve fiziko-kimike dhe në analizim të produkteve fruta-perime për mbetje të pesticideve.

Gjithashtu, shton AKU, me kërkesë të vetë subjektit janë asgjësuar një sasi prej 13,86 tonë produkte ushqimore.

Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime dhe monitorime dhe ka këshilluar 562 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë.

Gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave./a.gjonaj/j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.