Rindërtimi/ Qeveria, 1.5 miliardë lekë për bonusin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ndërsa vijon procesi për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë një vit më parë, qeveria shqiptare parashikon që edhe në vitin 2021 të mbështesë familjet e prekura me bonus për qiranë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot së në buxhetion e vitit që vjen është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekësh për qiratë e atyre familjeve që ende nuk u është përfunduar shtëpia e re.

“Ndërkohë që disa banesa kanë përfunduar dhe të tjera po ndërtohen nga e para, mbështetja buxhetore për bonusin e qirasë do të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2021 për çdo familje që ka mbetur e pastrehë”, tha ministrja.

Gjatë vitit 2020 rreth 14 mijë familje kanë përfituar bonusin e qirasë, ndërsa fondi në dispozicion i vendosur nga buxheti i shtetit ishte 3 miliardë lekë.

Deri në fund të këtij viti qeveria parashikon përfundimin e 1 mijë banesave për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës, ndërsa në kantieret e hapura puna po vijon me ritme të larta./a.gjonaj/j.p./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.