Rindërtimi pas tërmetit/ 1.3 milionë euro nga qeveria zvicerane për rikonstruksionin e shtëpive në Shijak dhe Kurbin

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Qeveria zvicerane ka ofruar një grant prej 1.3 milionë euro për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, nga i cili kanë përfituar 228 familje në Shijak e mbi 300 të tjera në Kurbin.

Ministri i Jashtëm i Zvicrës Ignazio Cassis, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana panë nga afër si po rilindin banesat e rikonstruktuara me mbështetjen e grantit zvicerian.

“Zvicra kontribuoi me një fond prej 10 milionë franga zvicerane në Konferencën e Donatorëve në Bruksel në shkurt të këtij viti. Ky fond do të ndihmojë në riparimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Puna për rindërtimin po përparon nga qeveria shqiptare  dhe ndihma e Zvicrës po shtrihet tek njerëzit në nevojë”, – tha Cassis.

“Në 50-vjetorin e marrëdhënie e dypalëshe mes dy vendeve tona, Zvicra konfirmon edhe njëherë mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë, si një vend mik e partner, jo vetëm në sfidën e rindërtimit nga rrënojat e tërmetit, por edhe në konsolidimin e themeleve të Shqipërisë europiane”, – tha Ahmetaj.

Ministri  Ahmetaj, theksoi se, “qeveria zvicerane ka mbështetur rindërtimin nëpërmjet granteve për 228 shtëpi”.

Kryetari i bashkisë së Shijakut tha se “kjo është një nga banesat individuale që është përfituese nga programi i granteve një nga 228 që ka përfituar programi i rikonstruksionit që është subvencionuar nga shtetit zviceran”.

“Në këtë shtëpi jetonin dy vëllezër, pjesa e njërit vëlla për shkak të mirëmbajtjes në vite ka qenë në gjendje më të mirë dhe është përfitues i granteve të rindërtimit DS3, ndërsa pjesa tjetër ku jetonte vëllai tjetër për shkak se nuk ka qenë e mirëmbajtur në vite ka një nivel dëmi DS4. Ministria e Rindërtimit ka subvencionuar që për familjen Kalleshi të ribëhet shtëpia nga e para”, tha Arbana.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh se, “në Shijak do të ndërtohen 567 banesa individuale, dhe një nga këto banesa do të jetë kjo e familjes Kalleshi që do të rindërtohet pasi të përfundojë familja tjetër nga programi i granteve”.

Ne vijoi ai, kemi ecur paralelisht edhe me shpërndarjet e granteve dhe me rindërtimin.

“Në të gjitha banesat që ka rindërtimi do të përfundojnë  brenda 2020”, – shtoi Arbana.

Elidon Kalleshi duke falënderuar ministrin Cassis për mbështetjen e qeverisë zvicerane tha se, “të gjithë banorët që kanë përfituar grante janë të kënaqur me ndihmën e ofruar për rikonstruksionin e shtëpive tona që u dëmtuan nga tërmeti”. /k.s/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.